TIRANË, 25 maj 2013- Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka prezantuar në Njësinë nr. 10 në Tiranë kandidaten për deputete, Kejdi Mehmetaj. Gjatë fjalës së tij, Meta ka vlerësuar lart të rinjtë, duke thënë se LSI ka kandiduar shumë të rinj në këto zgjedhje. Ndërkohë, ai ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka vetëm një qëllim, atë të mbajtjes së karriges.

“I vetmi shqetësim për të është si të mbajë karrigen, si të mos e lëshojë karrigen, ndërsa shqetësimi ynë është si të vëmë Shqipërinë në punë, si të hapim vende të reja pune për të rinjtë dhe për të rejat, si t’u garantojmë një perspektivë, sepse Shqipëria për fat të keq ndodhet në një stanjacion, ndodhet në një ngërç, jo vetëm politik, por edhe ekonomik. Dhe natyrisht që ne nuk mund të pajtohemi me këtë situatë dhe në radhë të parë nuk mund ta pajtohen të rinjtë dhe të rejat që janë këtu në Njësinë 10, në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetëm me një rini aktive ne do ta vëmë Shqipërinë në punë. Ndërsa problemin e premtimit të Berishës, që mos ta lëshojë karrigen e kemi zgjidhur, atij karrigen do t’ia japim ta marrë me vete bazuar edhe në ligjin që ai ka nxjerrë Shqipëria 1 euro. Ndërsa Shqipëria do të ecë përpara. Ne jemi një forcë konstruktive, jemi një forcë pozitive, edhe për çështjen e tre ligjeve ne kemi dhenë një propozim shumë konkret, një kompromis. Shpresojmë që ditën e hënë këto tre ligje të votohen dhe t’i krijojmë mundësinë Shqipërisë të ecë më shpejt për marrjen e statusit të vendit kandidat, sepse kjo do të thotë më shumë mbështetje financiare nge BE-ja, më shumë projekte, më shumë vende të reja pune për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që dëshirojnë të kenë një të ardhme evropiane këtu në zemër të Tiranës dhe kudo në Shqipëri”, tha Meta.

Sipas tij, Berisha duhet të dalë në pension, pasi edhe në vetë Kinën komuniste, nuk të lejon kush të drejtosh mbi 70 vjeç.

“Për Kryeministrin aktual është karrigia e para, nuk janë qytetarët të parët dhe këtë ai për fat të keq e tregon çdo ditë. Ai flet për arritje të jashtëzakonshme, ndërkohë që problemet janë gjithnjë e më të mëdha. Ai premton se do të hapë 250 mijë vende pune në 4 vjet kur në tetë vite më shumë mbylli se sa hapi vende të reja pune. Dhe siç e thamë me të gjithë të rinjtë dhe të rejat në takimin, që bëmë para pak ditës të Amfiteatri i Liqenit Artificial, pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë. Kështu që tani nuk do t’ia besojmë më rininë doktorit. Edhe në Kinë ka dalë një ligj që deri në 70 të lejojnë të drejtosh dhe pastaj duhet të dalësh në pension. Kështu që ne tani t’i japim mundësi Shqipërisë të bëjë një ndryshim, t’i japim një mundësi edhe PD-së që edhe ajo të reformohet, sepse ka probleme të mëdha. Doktori do të qëndrojë 12 vjet Kryeministër, ata ministrat duan të rrinë 12 vjet, po ashtu edhe drejtorët, ndërkohë që vendi është në stanjacion, vendi është në krizë, problemet ekonomike janë në rritje dhe nuk është aspak çudi që edhe në këtë lagje, që janë në qendër të Tiranës njerëzit të kenë emrat në listat e borxheve të dyqaneve ushqimore, prandaj ne duhet t’i japim një zgjidhje dhe zgjidhjen po ia japim nëpërmjet planit tonë për punësimin prej pesë pikash që do ta ketë çdo familje e Tiranës dhe e Shqipërisë”, tha Meta.