DURRES, 25 maj 2013– Dhjetra të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike Durrës, kanë reguar për mosfunksionimin e semaforëve si dhe mungesën e vijëzimeve në rrugë.

Të vendosur në një nga pikat më problematike të qytetit të Durrësit siç është kryqëzimi në afërsi të pallatit të Sportit, të rinjtë demokrat i kanë kërkuar bashkisë së qytetit të Durrësit të ndërhyjë në zgjidhjen e këtij problemi thelbësor për qytetin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat,  teksa ka bërë përgjegjëse bashkinë e qytetit për neglizhencën e treguar prej 13 vitesh në drejtim të përmirësimit të sistemit të sinjalistikës rrugore, Ema Hamiti anëtare e FRPD-ës Durrës, i ka drejtuar publikisht disa pyetje kryetarit të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

Deklarata

Ndodhemi në një nga kryqëzimet më të rrezikshme të qytetit të Durrësit. Po tentojmë të kalojmë rrugën, por është e pamundur, pasi semaforët nuk punojnë.

Z. Dako sot po ju pyesin se kush e drejton qarkullimin e qytetit,në një kohë që semaforët e shndërruara në relike nuk funksionojnë tashmë prej 13 vjetësh? Sa kohë duhet të presim për tu ndezur drita jeshile? Sot ju bëjmë thirrje që të montoni nyjet e reja semaforike dhe të vendosni vijëzimet. Sot ju bëjmë thirrje që bashkia juaj të jetë e përgjegjshme për jetën e qytetarëve të saj.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/