KUKES, 26 maj 2013– Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi sot në Kukës kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Lideri i LSI-së Ilir Meta ftoi qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës që t’i besojnë LSI-së, si forca që do të garantojë rotacionin dhe ndryshimin. 

“Të votëbesojmë një ndryshim plebishitar, të vendosim një lidership të ri që na sjell më afër me Europën dhe perëndimin dhe që i jep fund përplasjeve dhe rrugës së izolimit, që i jep zgjidhje mundimit dhe halleve tuaja. Shqetësimi i shqiptareve nuk është karrigia e Berishës, të cilën mund ta marrë me vete pas 23 qershorit, por krijimi i vendeve të reja të punës.”- deklaroi Meta. 

Më tej, kryetari i LSI-së theksoi sërish angazhimin e tij që përmes programit për punësimin, “ta verë Shqipërinë dhe shqiptarët në punë”. 

“Të votojmë për një plan të vërtetë punësimi dhe jo për një plan zhgënjimi, siç është premtimi i kryeministrit aktual. Ju keni në dorë të votoni për një autostradë të sigurt që e çon Kukësin drejt BE dhe jo për një rrugë të vjetër konfliktualiteti”- theksoi Meta. 

Për liderin e LSI-së, “zgjedhjet e 23 qershorit do t’i japin fund historisë së tranzicionit dhe do të nisin një perspektivë të re për të gjithë shqiptarët, atë të ecurisë së pandalshme në rrugën e integrimit dhe progresit ekonomik dhe social”.