DURRES, 26 maj 2013– Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, aktualisht deputet dhe kandidat në zgjedhjet e 23 qershorit, pati një takim me një grup banorësh në Maminas, ku diskutuan problemet e ndryshme të zonës dhe programin e Partisë Demokratike për zgjidhjen e tyre.

Cara shoqërohej nga Dashnor Osmani, drejtuesi i strukturave lokale të Partisë Demokratike, dhe Armand Teliti, kryetari i Këshillit të Qarkut.

Cara i bëri një panoramë të shkurtër investimeve të ndërmarra nga qeveria në këtë zonë, që nga rruga e re e deri tek rindërtimi i shkollave, qendrave shëndetësore, ujësjellësave, etj.

Por, sipas Carës, më e rëndësishme ishte ajo që Partia Demokratike do të bëjë gjatë mandatit të ardhshëm, që do të ishte ujësjellësi i ri për fshatrat Karpen e Bodinok dhe shtrimi i gjithë rrugëve të brendshme të Komunës së Maminasit.

"Nëse unë nuk e mbaj pretimin për furnizimin me ujë të pijshëm  si dhe atë të shtrimit të rrugëve të zonave më problematike, të këtyre fshatrave, në zgjedhjet e ardhshme nuk vij më pranë jush, për t'ju kërkuar votë", tha në fjalën e tij Cara.

Më pas, Cara bashkëbisedoi me banorët e zonës, ku ata parashtruan edhe disa probleme, të cilat do të gjenin zgjidhje në programin e Partisë Demokratike. Në takim, ra në sy besimi i banorëve të zonës për mbështetjen e Partisë e Demokratike.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/