Nga Enkeleda Arapi
DURRES, 26 maj 2013– Në pritje të investimit në infrastrukturën rrugore, banorët e një blloku pallatesh në lagjen numër 18 të qytetit tonë bashkëjetojnë me pirgje inertesh e mbetjesh urbane. Investimi jo vetëm që është lënë përgjysëm, pasi askush nuk punon prej më shumë se një muaji, por materiali për shtrim rruge është shndërruar në vend për hedhjen e mbeturinave. Ngado të zë syri mbeturina urbane, gropa të mbushura me ujë, të cilat vështirësojnë qarkullimin dhe janë kthyer në ndotës të mëdhenj të mjedisit, duke çuar në një ulje të ndjeshme të cilësisë së jetës në këtë komunitet. Fare pranë pallateve janë hedhur masive inertesh, të cilat do të përdoreshin për rehabilitimin e rrugës. Një prej tyre ngrihet pothuajse deri në dritaret e katit të dytë të pallatit pesëkatësh, duke u kthyer në një shqetësim e rrezik për banorët. Te një pjesë e tyre pirgu që duhet të sillte lehtësi në lëvizje përmes shtrimit të rrugës shihet si kërcënim real, pasiguri për jetën dhe pronën.
“Inertet po i marrin frymën të gjithë banorëve të pallatit 1005. Është bërë një kodër inertesh, që po mbërrin deri te dritaret e katit të dytë dhe askush nuk ndërhyn. Thuhet se bashkia do të bëjë një investim për shtrimin e rrugës, po ka gjasa që ajo kodër do të mbetet aty, edhe pas zgjedhjeve.”- shpreh për agjencinë informative “Dyrrah” shqetësimin e saj Viola Doko, e cila prej pak ditësh është kthyer në Shqipëri, pranë të afërmve.
Denoncimit të situatës nga Doko i shtohen dhe mjaft banorë të tjerë në zonë, të cilët kërkojnë ndërhyrje nga institucionet vendore dhe qëndrore. Zona ndodhet vetëm 2 km larg qendrës së qytetit tonë. Ky bllok pallatesh vuan edhe mungesën e sipërfaqeve të gjelbëra, apo hapësirave shlodhëse për grupmoshat e ndryshme. Fëmijët e kanë të pamundur të argëtohen në këtë shesh, pasi rrezikojnë jetën e tyre, ndërsa të rriturit e kanë braktisur prej kohësh. Gjatë komunikimit me banorët e rrugëve “Principata Balshajve” dhe “Bukureshti” mësohet se prej vitesh nuk janë bërë investimeve në infrastrukturë.
Situata në rrugët me emrat domethënës, po që nuk kanë asnjë lidhje me banorët e kësaj lagje, është dramatike. Askush nuk angazhohet për përmirësimin e kësaj gjëndjeje. As në këtë periudhë fushate, kur për fat të keq pritshmëritë e banorëve kanë qenë më të mëdha. Ata shprehen të indinjuar për premtimet e parealizuara, ndërsa pohojnë se shumica e tyre paguajnë rregullisht taksat. Përgjigjja në kohë e detyrimeve të tyre si qytetarë nuk merr në këmbim përmirësimin e kushteve të mjediseve publike.
Për shkak të fundjavës dhe angazhimit në fushatë, nuk mundëm të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse për sistemimin e infrastrukturës rrugore dhe pastrimin e shesheve para pallateve nga pirgjet me inerte, por Agjencia e lajmeve “Dyrrah” nuk do të mbesë deri te konstatimi dhe përcjellja e zërit të banorëve, po do të interesohet pranë tyre për këtë shqetësim qytetar. Me besimin se autoritetet do të reagojnë.
/Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





