DURRËS, 28 maj 2013– Ekzekutimi i 34 vjeçarit nga Kavaja, Ervis Qarri (Tafaruçi) nuk ka ende një emër autori, ndërsa autoritetet hetimore deklarojnë se po punohet në pistën e larjes së hesapeve. Qarri u ekzekutua pasditen e djeshme, ndërsa po udhëtonte në drejtim të qytetit të Kavajës. Nga dëshmitarë okularë është deklaruar se një automjet tip fuoristradë në ngjyrë të zezë i është afruar me shpejtësi mjetit të drejtuar nga Qarri, që sipas burimeve policore lëvizte me dokumente të falsifikuara, dhe një person ka qëlluar mbi automjet me breshëri automatiku, në krahun e drejtuesit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Plepa-Kavajë, në afërsi të Malit të Robit. Viktima është qëlluar katër herë me armë zjarri automatike, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme brenda mjetit ku ndodhej. Të paktën dy persona, të cilët po udhëtonin me automjetin e llojit fuoristradë nga i cili u qëllua viktima, dyshohet se e kanë ndjekur atë, teksa lëvizte drejt Kavajës me mjetin tip "Audi" me targë AA 933GE. 

Në ndihmë të efektivave të Tiranës e Kavajës, kanë mbërritur edhe shërbime të policisë së Durrësit, të cilët kanë ngritur post-blloqe në akse të ndryshme, kryesisht hyrje-daljet e qyteteve, po pa mundur të evidentojnë mjetin dhe autorët. Shumë persona deklarohet se janë shoqëruar në ambjentet e komisariatit të policisë së Kavajës për t'u pyetur mbi ngjarjen. Pista kryesore e kësaj vrasje është ajo e larjeve të hesapeve bazuar në aktivitetin e mëparshëm të viktimës, person me precedent kriminalë. 

Në vitin 2011, viktima është dënuar me 6 muaj burgim nga Gjykata e Durrësit për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, për një sherr të ndodhur gjatë sezonit turistik 2010 në zonën e Golemit, ku viktima kishte një apartament. Ndonëse prokurori i çështjes pati kërkuar dënimin e tij me 18 muaj burg gjykata me përfaqësues në këtë çështje gjyqtarin Tritan Hamitaj e dënoi me 6 muaj burg, duke llogaritur dhe kërkesën për gjykim të shkurtuar. 

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/