Durrës, 27 maj 2013- Një 34 vjeçar ka mbetur i ekzekutuar më armë zjarri brenda automjetit të tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën nacionale Plepa-Kavajë, në afërsi të Malit të Robit. Viktimë e atentatit ka mbetur 34 vjeçari Ervis Tafaruçi me origjinë nga Shijaku dhe me banim në Golem. Nga të dhënat e para në vendngjarje mësohet se viktima është qëlluar katër herë me armë zjarri e llojit automatik nga persona ende të paidentifikuar. Nga hetimet paraprake policia dyshohet se atentati është kryer nga dy persona të cilët po udhëtonin me një tjetër automjet dhe sipas policisë autorët e kanë ndjekur viktimën, gjatë kohës që po levizte nga Plepat në drejtim të Kavajës, duke i zënë pritë në afërsi të Malit të Robit. Pikërisht në atë vend, sqaron policia  autorët e kanë qëlluar brenda automjetit tip "Audi" me targë AA 933GE, 34 vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Kavajës. Ekspertë kriminalë si dhe efektiva policie të mbërritura nga Kavaja e Tirana, po punojnë në vendngjarje për mbledhjen e provave të mundshme, të cilat pritet të çojnë në identifikimin e autorëve. Ndërkaq në ndihmë të efektivave të Tiranës e Kavajës, kanë mbërritur edhe efektiva të policisë së Durrësit, të cilët kanë ngritur post-blloqe në akse të ndryshme si dhe në pikat hyrëse të qytetit të Durrësit e Kavajës, me qëllim neutralizimin e autorëve. Paraprakisht policia bën me dije se kemi të bëjmë me një vrasje të mirëorganizuar për larje hesapesh, kjo për shkak të preçedenteve të mëparshme kriminale që viktima kishte. 

Krimet e mëparshme të Tafaruçit
Në korrik të vitit 2009 Ervis Tafaruçi akuzohet se së bashku me Indrit Shtrazën dhe Ervis Kasën tentuan të vrisnin shtetasin maqedonas, Besnik Kulla. Ndërsa më 28 mars 2011, Ervisi u arrestua nën akuzën se i vuri flakën makinës së një studenteje,banuese në zonën e “21 dhjetorit” në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit të 28 marsit kur automjeti tip “Renault Clio” mori flakë fare pranë komisariatit nr.2 në kryeqytet.

/e.a. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”