TIRANE, 28 maj 2013– Një edukatore kopshti do të vihet përpara drejtësisë, pasi ka keqtrajtuar një nga fëmijët e kopshtit, pasi nuk pranonte të flinte gjumë. Historia ka dalë në dritë pas denoncimit që ka bërë nëna e 4-vjeçarit, e cila ka vërejtur gërvishtjet në fytyrën e të birit. Prokurori Granit Shahu ka hetuar për disa muaj për të hedhur dritë mbi rastin dhe në përfundim ka ngritur ndaj edukatores Alma Toska, akuzën “keqtrajtim i të miturit”.
Gruaja pretendon se atë ditë djali është marrë në kopsht nga ana e mbesës së saj, M.L.. Kur ka shkuar në shtëpi, ka konstatuar që i biri ishte i trembur. Pas pyetjeve që ajo i ka bërë të birit, ka ardhur në dijeni të faktit që edukatorja e tij e ka kapur tek nofullat me thonj, pasi D.L. nuk po flinte gjumë. Pas kallëzimit, gruas i është dhënë një vendim nga organet kompetente për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor për ekzaminimin e të birit.
Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko ligjor (pra vetëm tri ditë pasi ka ndodhur ngjarja), rezulton që tek i mituri D.L. konstatohen gërvishtje
Fëmija D.L. ka dëshmuar në prani të prindërve të tij dhe psikologëve. Ai është shprehur se dëmtimi në faqe është shkaktuar pasi është kapur nga edukatore Alma Toska. Para hetuesve ka dëshmuar dhe M.L., kushërirë e fëmijës, e cila ka marrë 4-vjeçarin atë ditë nga kopshti. Ajo shpjegon se dëmtimet e D.L. i ka konstatuar rrugës për në shtëpi (banesa e tyre me kopshtin është 10-20 metra larg). Më pas, menjëherë kur ka shkuar në shtëpi ka njoftuar edhe gjyshen e D.L., e cila i ka thënë që me këtë punë do të merrej nëna e D.L..
Siç shkruhet në “GSH” e pandehura Alma Toska ka mohuar kategorikisht ta ketë kapur për faqesh duke i shkaktuar dëmtime fëmijës D.L.. Por ,sipas organit të akuzës, nga rrethanat e faktit në fjalë, si dhe nga tërësia e veprimeve hetimore në kuadër të procedimit penal, rezulton tashmë e provuar që e pandehura Alma Toska, e cila ka marrë në kujdesin e vet, grupin e fëmijëve në të cilin bën pjesë edhe fëmija D.L., në orën 13.30 min dhe në vazhdim, deri në orën 16.00, ka ushtruar dhunë duke e kapur D.L. për faqesh, pasi ky i fundit po bënte zhurmë dhe nuk flinte gjumë. Me veprimet e saj e pandehura i ka shkaktuar D.L. dëmtime që sjellin paaftësi deri në 9 ditë dhe duke qenë me cilësinë e edukatores në këtë kopsht fëmijësh, që kishte për detyrë kujdesin ndaj tyre, ajo ka konsumuar veprën penale “keqtrajtim i të miturit”, për të cilën dhe do të përgjigjet para drejtësisë.





