TIRANË, 28 maj 2013– MiG 21-shët, avionët luftarakë mitikë sovjetikë të epokës së Luftës së Ftohtë, mund t’i blesh në Shqipëri dhe për 6300 euro.
Komanda e Forcës Ajrore (reparti ushtarak nr. 3001) Rinas, Tiranë njofton se do të shesë me ankand avionin nr. 207 të tipit MiG 21, prodhim kinez i vitit 1974 (i njohur për eksport si “Chengdu J-7”), kodi i NATO-s “Fishbed C”.
Në Shqipëri erdhën nga Kina 12 copë MiG 21 dhe sot janë në rezervë 10 të mbijetuar.
Ushtria shqiptare thotë se do të shesë një prej tyre “për qëllime muzeale, jo ushtarake”.
Çmimi dysheme për garën nis me vlerën simbolike prej 900 mijë lekë, rreth 6300 euro.
Ankandi në komandën e aeroportit ushtarak të Rinasit do të zhvillohet më 17 qershor 2013, gjashtë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.
Info
Skuadrilja e parë me avionë luftarakë MiG-15Bis, kodi i NATOs 'Fagot', u krijua në vitin 1955.
Në vitet e mëvonshme Forcat Ajrore Shqiptare u pajisën edhe me avionë luftarakë të tipave MiG-17, kodi i NATOs 'Fresco', dhe MiG-19, kodi i NATOs 'Farmer', dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez.
12 avionët MiG-21F-13, (emri kinez për eksport “Chengdu J-7”), kodi i NATO-s “Fishbed C”, të transferuar nga Kina në fillim të viteve 70 dhe të konsideruar si avionët më modernë, u vunë në rezervë në bazën ajrore të Gjadrit.
Një avion, ai me numër 207, është i bazuar në Rinas dhe mendohet që të jetë në gjendje aktive.
Sot ekzistojnë 10 copë MiG 21.
Një u shkatërrua në ngritje duke i marrë jetën edhe pilotit dhe avioni i dytë mendohet të jetë dëmtuar pasi doli nga pista.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





