MALLAKASTER, 27 maj 2013- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga qyteti i Ballshit, ku prezantoi kandidatët e LSI për qarkun e Fierit, se ata ndryshojnë nga kryeministri Sali Berisha sa i përket çështjes së punësimit.

“Ne shkojmë drejt zgjedhjeve të 23 qershorit dhe kemi dallime shumë të forta me Kryeministrin që do të largohet, sepse ne me planin tonë të punësimit duam që ta vëmë Shqipërinë në punë, ndërsa Saliu me përrallat që tregon çdo natë do që ta vërë në gjumë. Por Mallakastra dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të votojnë më për premtime boshe dhe sa për rrugët që janë bërë para shtatë vitesh, ndërkohë që papunësia rritet çdo ditë, çmimet rriten çdo ditë dhe kosto e jetesës bëhet më e vështirë për mallakastriotët dhe të gjithë shqiptarët”, u shpreh Meta.

Kreu i LSI shtoi se miratimi i statusit të naftëtarit do të jetë prioritet kryesor i LSI-së për naftëtarët e Ballshit, të Patosit, të Marinzës e kudo.

“Ne do ta vëmë në punë Mallakastrën dhe mallakastriotët, sepse ju e doni punën dhe e keni dashur gjithmonë. Sepse ju doni të jetoni me punën tuaj dhe për këtë keni nevojë për mbështetjen e qeverisë.

Ne kemi një plan të qartë për hapjen e vendeve të reja të punës në të gjitha fushat. Në atë të industrisë, të shërbimeve, të bujqësisë, dhe të industrisë agropërpunuese, në energjetikë dhe unë jam shumë i bindur që me LSI-në, Mallakastra do të gjallërohet, do të zgjohet më shpejt në mëngjes, sepse kanë ku të shkojnë njerëzit në mëngjes: do të shkojnë në punë. Shqetësimi ynë është punësimi i mallakastriotëve dhe i shqiptarëve, sidomos i të rinjve dhe të rejave që vrasin kohën jo për faj të tyre nëpër kafene dhe nëpër loto. Ndërsa shqetësimi i Saliut është si të mos lëshojë karrigen, por ne e kemi zgjidhur edhe këtë punë, do t’ia japim me vete ta marrë karrigen në shtëpi,”tha Meta.