DURRËS, 27 maj 2013 – 13 kanditatët, për deputetë të PS-së u nisën nga Shijaku dhe përfunduan në Ishëm, në skajin verior të qarkut të Durrësit

Kryetari i komunës së Ishmit Sulejman Ibrahimi ka kritikuar ashpër qeverinë, e cila është bërë pengesë kryesore për zhvillimin e një zone turistike si Ishmi.

Sipas Ibrahimit, qeveria e ka dënuar Ishmin duke i prerë fondet, por megjithatë administrat që ai drejton ka arritur të punojë në të mirë të banorëve të zonës.

Kandidati socialist për deputet njëkohësisht kreu i PS për rrethin e Durrësit Gentian Bejko u shpreh se ka besimin e plotë se e gjithë zona e Ishmit do ta votojë masivisht për PS-në.

Deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se për faj të kësaj qeverie të dështuar varfëria është ulur këmbëkryq në familjet e një vendi kaq të bukur si Ishmi, me resurse turistike të pafundme.

Kandidati Ilir Beqja u shpreh se të votosh për PS-në, do të thotë që e gjithë kjo zonë të rimëkëmbet dhe se brenda mandatit të parë të qeverisë socialiste realiteti i Ishmit do të ndryshohet rrënjësisht.

Deputeti Blendi Klosi deklaroi se qeveria e ka harruar Ishmin dhe investimet për turizmin në këtë zonë, ndaj qeveria me kryeministër Edi Ramën do të realizojë në këtë zonë investime të rëndësishme duke rregulluar të gjithë sistemin e kanalizimeve, duke shtruar brenda dy viteve të para të mandatit rrugën Lalëz-Bizë-Draç dhe duke investuar në sektorin e turizmit sipas detajeve të programit të Rilindjes.