BERAT, 25 maj, 2013– Fryma e Re Demokratike zhvilloi sot një takim me qytetarët në Berat. Në një frymë entuziaste të simpatizantëve të FRD-së në Berat u prezantuan  kandidatët për deputetë në këtë qark. Kryetari Bamir Topi duke u ndalur në vizionin dhe filozofinë e FRD-së   deklaroi se kjo force politike vlerëson shumë rikonsiderimin e së djathtës si dhe  rizgjimin e vlerave që janë harruar nga pushteti aktual.Në 23 qershor vazhdoi z.Topi ne konkurojmë të vetëm por nuk jemi të vetmuar:

“Mbështetja për FRD-në është e fuqishme, ajo ndjehet në cdo takim me mbështetës e simpatizantë”. Ai u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të mos bien preh e premtimeve boshe dhe të përsëritura nga faktorët destruktivë në politikë që shohin vetëm interesat e ngushta të karrigeve të tyre dhe jo interesat gjithpërfshirëse të qytetarëve.

Duke u ndalur në vlerat ekonomike dhe historike të qytetit të njëmijë dritareve siç quhet Berati, kryetari i FRD-së theksoi papërgjegjshmërinë e qeverisë për ti vlerësuar këto burime në dobi të zhvillimit të zonës.Vetëm disa muaj më parë në qytetin tuaj tha z.Topi u dhunua sërisht shtëpia muze e Onufrit,kalaja e Beratit ka mbetur e rrënuar nga politika dritëshkurtër e qeverisë.Kjo politikë që mundohet të riciklojë pushtetin,vazhdoi ai, nuk meriton të votohet.

Gjithashtu kryetari Bamir Topi nxiti kandidatët për deputetë të qarkut të Beratit të vlerësojnë gjatë ditëve të fushatës cdo komunikim , të hyjnë në cdo shtëpi sepse misioni i FRD-së nuk janë paratë por  ndershmëria dhe pasqyrimi i programit të saj. Duke ju drejtuar në mënyrë të vecantë qytetarëve indiferentë në këtë atmosferë zgjedhore z.Topi tha: “ Mos e lini fatin tuaj në dorë të manipulatorëve,dilni në votime dhe vlerësoni të ardhmen e familjeve tuaja. Shfrytëzojeni mundësinë që ju ka dhënë kushtetuta për të zgjedhur vetë ju pushtetin.”

Së fundi Topi u tha qytetarëve në Berat se FRD ka një program të qartë dhe bindës,prandaj në 23 qershor votoni numrin 66 , numrin e fitores së Frymës së Re Demokratike. Kandidati për deputet Aleksandër Sallabanda qe prin listën e FRD-së për  qarkun e Beratit duke përshendetur pjesëmarrësit në tubim tha ndër të tjera  se sot është dita të mbeshtetet fryma e re demokratike sepse kështu i jepet fund tranzicionit të gjatë shqiptar. Ai foli gjithashtu edhe për situatën e rëndë ekonomike të Beratit duke thënë së mungon plani zhvillues si dhe interesimi i qeverisë per zhvillim.