DURRES, 27 maj 2013– Në kampin durrsak ka filluar numërimi mbrapsht i ditëve të fundit të pushimeve, pasi shumë shpejt do të nisë grumbullimi dhe puna intensive për ndeshjet e Europa Ligës. Një prej lojtarëve më të spikatur të Teutës, Ansi Nika, i konsideron si dy finale ndeshjet e raundit të parë.

“Për ne kanë përfunduar pushimet dhe duke nisur nga java tjetër do të fillojmë përgatitjet për dy ndeshjet e Europa Ligës. Skuadra ka lëvizur në merkato, nga ku ka afruar dhe pritet të afrojë edhe lojtarë të tjerë me të cilët do të bëhemi akoma më të fortë. Unë kam besim se trajneri do të ndërtojë një grup të fortë dhe të ekuilibruar, që do të bëjë një paraqitje të mirë dhe do t’i kënaqë të gjithë sportdashësit. Në radhët tona kemi shumë lojtarë me eksperiencë, gjë që do të na ndihmojë vërtet shumë, sepse në këto ndeshje një rol të rëndësishëm ka eksperienca. Gjithsesi, besimi dhe optimizmi te Teuta nuk mungon. Për këto përballje do të kemi mbi një muaj kohë për t’u përgatitur”.

Duke vijuar më tej, mesfushori shprehet se ndihet mirë në Durrës dhe se dëshiron të qëndrojë edhe për sezonin tjetër.

“Sa i përket vazhdimit së karrierës sime, fati i saj do të vendoset së shpejti. Personalisht jam i kënaqur këtu në Durrës, por kontrata ime ka përfunduar dhe duhet të bisedoj me presidentin. Mbetet për t’u parë nëse do të jem pjesë e ekipit për sezonin e ri. Teuta lakmohet nga shumë lojtarë, pasi këtu punohet pa presion dhe brenda të gjitha standardeve që meriton një lojtar profesionist. Mjafton të jesh pak kohë pjesë e kësaj skuadre dhe pastaj bëhet tepër e vështirë për t’u ndarë prej saj”.

/l.m. Panorama/