– PD-ja dhe Berisha kanë nevojë edhe për votat “pink”, që nuk janë të pakta në Tiranë, Kavajë, Peqin, Elbasan, Berat, Krujë etj.
TIRANË, 27 maj 2013– LGBT-ja i është ankuar kreut të mazhorancës për ironinë e deputetit blu Edi Paloka, ndaj lëvizjes gej në Shqipëri, duke i kujtuar zotit Sali Berisha deklarimin e tij se “duhet të jetë një përgjegjësi e politikanëve” mbrojtja e të drejtave të homoseksualëve.
PD-ja dhe Berisha ka nevojë edhe për votat “pink”, që nuk janë të pakta në Tiranë, Kavajë, Peqin, Elbasan, Berat, Krujë etj.
Info/ Paloka
Deputeti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, në një intervistë për GSH, thotë se Edi Rama ka dhënë vetëm një premtim serioz, atë që ka dhënë për grupimin që mbron të drejtat e homoseksualëve.
Paloka tha se Rama e ka mbështetur grupimin LGBT që nga viti ’90.
“Prandaj Rama nga ‘dhëndër’ në Tiranë, shkoi ‘nuse’ në Vlorë,” thotë Paloka, që ka kundërshtuar në distancë shefin e vet.
Info/Berisha
Më 22 prill 2013, Kryeministri i vendit z. Sali Berisha priti në zyrën e tij dy aktivistët për të drejtat e LGBT në Shqipëri, Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi, duke u bërë kështu i pari kryeministër i vendit që takon në zyrën e tij përfaqësuesit e komunitetit LGBT, fakt që bëri bujë në mediet botërore.
Z. Berisha dënoi si të pavend polemikat e krijuara nga zëvendësministri Ekrem Spahiu duke thënë se, “askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në orientimin intim të individëve” dhe shtoi se “ato deklarata janë të papranueshme jo nga një zëvendës ministër, por nga askush”.
Megjithatë, z. Spahia nuk u shkarkua nga posti sikurse kërkuan ndërkombëtarët dhe LGBT-ja, madje PD-ja e Berishës është në koalicion me PLL-në e Spahiut.
Berisha nënvizoi se asnjë politikan, përfshirë dhe deputetin Paloka, “nuk duhet të ketë frikë apo komplekse për t’u shprehur për çështje që i takojnë komunitetit LGBT që janë të drejta të njeriut”.
Kjo, sipas kryeministrit, “duhet të jetë një përgjegjësi e politikanëve”.
Info/ Rama
Më 23 maj 2013, në mesditë, në zyrën e tij në katin e dytë të selisë, kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama priti dy drejtuesit e lëvizjes LGBT në Shqipëri, Xheni Karajn dhe Kristi Pinderin.
Ky ishte takimi i parë që kreu i të majtës shqiptare zhvilloi me përfaqësues të komunitetit LGBT.
Kreu i opozitës i siguroi aktivistët se brenda dy viteve të para të qeverisjes socialiste, do të ketë një projekt të planifikuar me kujdes dhe maturi për të integruar komunitetin LGBT, për të eliminuar format e diskriminimit, por sidomos për të informuar dhe kulturuar shoqërinë.
Info/ Arvizu
Ambasada e SHBA në Tiranë organizoi më 13-15 qershor 2012 në Tiranë seminarin e parë rajonal të sponsorizuar nga Qeveria Amerikane për çështjet e komunitetit LGBT (lesbike, gay, biseksualë, dhe transeksualë). Mbi 100 pjesëmarrës nga 17 vende të ndryshme evropiane u mblodhën për të marrë pjesë në konferencë. Ambasadori Aleksandër Arvizu, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, dhe Avokati i Popullit Igli Totozani çelën konferencën. Konferenca përfshiu fjalime, diskutime të panelit mbi praktikat më të mira, eksperiencat që lidhen me komunitetet LGBT në mbarë Evropën, si dhe video filmike.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





