DURRËS, 27 maj 2013– Një projekt humanitar ka vënë në lëvizje mjaft persona fizikë në mbledhjen e kapakëve plastikë. Të mësuar rëndom me fëmijë dhe të rritur, kryesisht romë, që mbledhin kanaçe nëpër rrugë, kazanë plehrash dhe lokale, nisma e re duket si ndryshim malli, po me të njëjtin qëllim, sigurimin e të ardhurave nga shitja e tyre. Këtë herë përfitimi nuk është personal. Është një projekt që nxit më së shumti vullnetarizmin në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara. Për çdo 250 kilogram kapakë plastikë të mbledhur do të përfitohet një karrige me rrota. Nisma është përqafuar nga shumë durrsakë, kryesisht të rinj, studentë të universitetit publik “Aleksandër Moisiu” dhe lokalet që frekuentohen gjerësisht prej tyre në Durrës.

“Albania CAP” është një projekt humanitar që ka për qëllim krijimin e një linje zinxhir ku nëpërmjet ricklimit të kapakëve plastikë, të mundësohet pajisja me karroca me rrota për personat në nevojë për to. Në këtë mënyrë synohet kontributi i gjithësecilit në mbajtjen pastër të mjedisit, si dhe pajisjen me karroca invalidësh personave të cilët nuk kanë mundësitë financiare për t’i blerë ato.

Gjatë stinës së verës, bregdeti i Adriatikut pritet të ofrojë një mundësi mjaft të mirë për mbledhjen e kapakëve, pasi një pjesë e mirë e popullsisë zhvendoset në plazhe, ku dhe konsumi i pijeve në shishe plastike është mjaft i madh.

Stafi dhe vullnetarët e këtij projekti bëjnë të ditur se gjithëpërfshirja është e domosdoshme në realizimin e projektit disavjeçar, ndërkohë që ftohen të gjithë, pa asnjë dallim të bëhen pjesë e tij.

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/