DURRES, 26 maj 2013– Edhe Shqipëria në festë. Klubi legjendar i Bajernit të Mynihut ka mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të gjithë shqiptarët. Tifozë të thekur bavarezë ndër vite dhe më së shumti ata që kanë për zemër futbollin gjerman, kanë përjetuar 90 minuta emocionuese nga shtëpitë, lokalet dhe sheshet e qyteteve më kryesore të vendit. Nga Shkodra, Durrësi dhe deri në Gjirokastër ka pasur festë për finalen e fituar nga Bajerni në limitin e ndeshjes. Në disa qytete nuk kanë munguar organizimet, ndërsa në të tjerat gjithçka i është lënë rastësisë. Të paktë kanë qenë tifozët e Borusias së Dortmundit, ekipit që në këtë edicion të Champions-it për pak bëri surprizën.

Në Durrës- Qyteti bregdetar ka përjetuar emocione të forta pas fitores së ekipit të Bajernit të Mynihut. Fitorja është festuar me birra, brohoritje, por edhe fishekzjarre. Ngritja e kupës së bashku me flamurin e Kosovës, ka qenë një tjetër moment që është brohoritur fort në qytetin-port. Finalja e Ligës së Kampioneve është ndjekur jo vetëm në ambjentet e brendshme të lokaleve dhe shtëpi, por edhe jashtë, pavarësisht erës dhe uljes së temperaturave. Në sheshin para portit të Durrësit ishte vendosur një monitor gjigand, ndërsa në lagjet numër 1 dhe 3 ka pasur më shumë organizim nga tifozët. Të shumtë kanë qenë dhe ata që e kanë ndjekur ndeshjen në portin e Durrësit, që këtë fundjavë ka hapur dyert për qytetarët dhe turistët. Mes tyre kanë qenë dhe dy kandidatët kryesorë të PD-së për qarkun e Durrësit. kryetari i kësaj force politike Igli Cara dhe Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Bashkë me të kanë qenë dhe drejtori i Autoritetit Portual Durrës, Eduart Ndreu, ish-prefekti Klodian Pajuni dhe qytetarë të shumtë. Fillimi i ndeshjes është paraprirë nga atmosferë e hareshme e krijuar nga një grup muzikor italian, që ka përfshirë qytetarët edhe në kërcim.

Në Tiranë – Kryeqyteti shqiptar ka qenë dje “i pushtuar” nga tifozët bavarezë, të cilët me përfaqësuesit e “fun club”-it të tyre kishin organizuar një festë më vete në lulishten përballë Piramidës. Festa ka nisur që dy orë përpara ndeshjes, ndërkohë që një vend përpara ekranit gjigand ka zënë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, dhe shumë figura të tjera politike, por gjithashtu edhe të sportit në vend. Nuk ka munguar as sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, i cili ka ndjekur takimin në krah të kryeministrit dhe kryebashkiakut. Sportdashësit kanë shijuar gjatë ndeshjes birra “Korça”. Pas përfundimit të finales, festa ka vazhduar në bulevardin qendror të kryeqytetit, ku qindra makina kanë parakaluar me tifozë të Bajernit, të cilët ishin në ekstazë.

Në Shkodër – Në kryeqendrën e veriut, që njihet për një dominancë të tifozëve shkodranë, bashkia kishte menduar për një organizim në lidhje me finalen. Një monitor i madh, i vendosur në qendër të qytetit, dhe përpara ndeshjes një aktivitet i organizuar me një grup muzikor italian, e ktheu në festë gjithçka. Rreth 500 tifozë, shumica e tyre të Bajernit, ndërsa ra në sy edhe prania e shumë femrave, kanë festuar gjatë gjithë takimit. Momentet kur janë shënuar golat kanë bërë që qyteti verior të pushtohet nga ovacionet, ku sigurisht më shumë janë dëgjuar tifozët bavarezë. Festa ka vazhduar edhe pas ndeshjes, me tifozë të elektrizuar, të cilët kishin 12 vite që prisnin triumfin e Bajernit.

Në Korçë – Në sheshin para pallatit të sportit “Tamara Nikolla” ishte vendosur një projektor për t’u krijuar mundësinë qindra tifozëve të ndiqnin ndeshjen. Me sponsorizimin e kompanisë birra “Korça”, tifozë të Bajernit dhe Dortmundit shijuan një spektakël të vërtetë. Më të shumtë në shesh ishin tifozët bavarezë.

Në Vlorë – Më pak të organizuar kanë qenë në Vlorë, ndonëse lokalet e bulevardit Vlorë-Skelë, ato pranë portit dhe stadiumit kanë qenë të tejmbushura. Shumica e tifozëve kanë qenë të Bajernit. Edhe në Gjirokastër organizimi ka qenë i paktë, pavarësisht se ka pasur tifozë të shumtë të Bajernit. Lokalet e lagjes “18 shtatori” dhe ato në qendrën historike të qytetit ishin gjithashtu të tejmbushura.

Urimi i kryeministrit: Bajerni e meritoi!

 Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka shijuar dje mes tifozëve të çmendur bavarazë takimin final të Ligës së Kampioneve, Bajern-Borusia Dortmund. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kryeministri nuk ka ngurruar të lërë mesazhin e tij të urimit në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndër të tjera, ai shkruante: “Super ndeshje, super spektakël, super portier. Fitore e merituar e Bajernit”. Dje Berisha ka qenë i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili njihet si tifoz i Bajernit. Mes tyre ishte edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani.