TIRANE, 26 maj 2013– Bashkia e Tiranës bën me dije me anë të një njoftimi, se Lulzim Basha ka marrë titullin “Qytetar i Lirë i Londrës”. Nuk jepet motive se përse Basha e ka marrë këtë ‘titull’, ndërkohë që në njoftimin e bashkisë thuhet se:

“Basha ishte i ftuar nderi i darkës zyrtare të organizuar nga Lord Mayor of the City of London në pallatin historik Guildhall, ku dhe iu urua zyrtarisht mirëseardhja si “Qytetar i Lirë i Londrës”.

“Pjesë e axhendës së këtij evenimenti ishte edhe  koncerti ku u luajt simfonia Nr. 9 e Beethovenit në Katedralen e Shën Palit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin britanik, Kryebashkiaku Basha u prit në një takim nga drejtoresha për Evropën në Ministrinë e Jashtme si dhe nga zyrtarë  të Partisë Konservatore të Kryeministrit David  Cameron. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha morri pjesë edhe në një darkë, ku të ftuar ishin anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Parlamentit britanik”, thuhet në njoftim.

Ndërsa vetë Basha, sipas njoftimit të bashkisë, ka thënë se:

“Së pari është një nder i madh, jo për mua si kryetar i Bashkisë por për qytetin dhe Bashkinë e Tiranës dhe e konsideroj si një përgjegjësi të madhe pasi vetë marrja e këtij titulli dëshmon për një shkallë të re të njohjes dhe vlerësimit për kryeqytetin tonë, për Tiranën por edhe për Shqipërinë e shqiptarët”.

Sipas tij, kjo është një mundësi e madhe për kryeqytetin shqiptar, për të tërhequr investitorë të rëndësishëm që operojnë në Londër.

“Në këtë pikëpamje, vëmendja që qyteti i Tiranës ka marrë sot përmes kësaj ceremonie është një kapital i çmuar për të drejtuar sytë e kapitalit britanik dhe në fakt kapitalit botëror që i thotë City of London, shtëpia e vet, tek Tirana, tek mundësitë që Tirana ofron, mundësitë që Shqipëria ofron për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, me potenciale të jashtëzakonshme dhe mundësi të jashtëzakonshme dhe natyrisht përmes investimeve, zhvillimit ekonomik e krijimit të vendeve të punës si një prioritet kryesor imi si kryebashkiak”  tha Basha.