TIRANE, 25 maj 2013- Kryetarja e Kuvendit priti sot në një takim shefen e Misionit të ODIHR-it Conny McCormak dhe anëtarë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR.
“Ne, tha Jozefina Topalli, jemi të angazhuar për zgjedhjet më transparentet dhe më të mirat që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Kam ftuar të gjithë Asambletë Parlamentare për të sjellë numrin më të madh të parlamentarëve për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri. Kuadri ligjor elektoral është miratuar me konsensus, bazuar më rekomandimet e ODIHR-it. Rritja e numrit të qendrave të numërimit, zvogëlimi i numrit të zgjedhësve për qendër votimi etj, do të ndikojnë në rritjen e mëtejshme të standardeve, do të shkurtojë kohën e numërimit, do të rrisë edhe më shumë transparencën.”
Lidhur me çështjen e KQZ-së, ajo tha se:
“Si Kryetare e Kuvendit, e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme se jam e gatshmë në çdo moment të mbledh parlamentin e të votojmë tre emrat që opozita duhet të sjellë për vendet e lëna bosh në KQZ. Shpresoj që Rama të mos mendojë se mund ta përdorë këtë si alibi të rradhës për humbjen e tij, për të mos njohur rezultatin ashtu siç ka bërë në zgjedhet e mëparshme. KQZ-ja po vijon punën e saj në respekt të ligjit dhe kodit zgjedhor.”
Zonja McCormak e falenderoi Kryetaren e Kuvendit për informimin dhe pasqyrimin e qartë të çështjeve të procesit zgjedhor dhe vlerësoi kërkesën e e saj për të pasur një numër sa më të madh parlamentarësh nga Asambletë Parlamentare të OSBE-së, KiE, Parlamentit Europian etj, për të vëzhguar zgjedhjet e 23 Qershorit.





