DURRES, 24 maj 2013– Pas mesfushorëve të Besës Idriz Batha dhe Bruno Dita, te Teuta pritet të afrohen edhe dy lojtarë të tjerë, të cilët do të përforcojnë skuadrën në ndeshjet e Ligës së Europës.

Presidenti Edmond Hasaneblliu dhe trajneri Gugash Magani janë në bisedime me disa lojtarë, por për momentin nuk konfirmohet asnjë akord. G

jithsesi, mësohet se Teutës do t’i bashkohet një mbrojtës, i cili luan edhe nga krahët, edhe në qendër të këtij reparti. Gjithashtu, klubi synon të afrojë edhe një sulmues. Trajneri Magani ka thënë se i nevojiten të paktën tri përforcime.

Hoxha – Mesfushori Altin Hoxha shprehet i sigurt se Teuta nuk do të përsërisë gabimin e një viti më parë në Europë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Hoxha tha se shpreson që këtë vit të jetë në planet e trajnerit, duke pasur më shumë hapësirë.

“Gjatë këtij sezoni, për shkak të një dëmtimi nuk isha në formën time më të mirë. Duke përfituar nga pushimet po stërvitem individualisht, në mënyrë që të kap ritmin e duhur për të qenë gati dhe në dispozicion të trajnerit”,- u shpreh fillimisht mesfushori, ndërsa ka vijuar më tej duke folur për Europën.

“Si fillim të shpresojmë që si kundërshtar të kemi një të nivelit tonë. Por, nga disa informacione që mora nga gazeta mbi rivalët tanë të mundshëm, pashë që kemi mundësi reale për t’u kualifikuar për në fazën tjetër. Megjithatë, nuk jam i mendimit të dalim në përfundime ende pa u njohur më parë me kundërshtarin. Për mua dhe gjithë skuadrën, i rëndësishëm është fakti të bëjmë një paraqitje dinjitoze dhe të dalim me kokën lart nga ky kompeticion. Një vit më parë nuk u paraqitëm mirë, por kjo edhe për arsye të kundërshtarit, i cili ishte shumë i fortë. Gjithsesi, ne shpresojmë që këtë radhë të bëjmë një paraqitje dinjitoze për të kaluar në fazën tjetër”,- përfundoi mesfushori i ekipit durrsak.

/l.m. Panorama/