TIRANË- Kreu i prezencës së SHBA-së, Aleksandër Arvizu në një prononcim për mediat apeloi sot që partitë politike të shfrytëzojnë mundësinë e mbledhjes së Parlamentit ditën e hënë, qoftë për votimin e tre ligjeve apo situatën në KQZ.
“Sot është dita e parë e fushatës, por mesa duket ajo ka nisur. Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet dhe konstituimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi”, iu përgjigj ambasadori interesit të gazetarëve, nëse ai kishte mesazh për ditën e parë të fushatës zgjedhore.
Këto deklarata Arvizu i bëri pas vizitës në Gjykatën Kushtetuese ku u takua me kreun e këtij institucioni, Bashkim Dedja. Në prononcimin për mediat pas takimit, ambasadori amerikan vlerësoi se forca e çdo demokracie mbështetet në efektivitetin e drejtësisë.
Me këtë rast, Arvizu vlerësoi rolin e Kushtetueses “për drejtësinë në vend”, ndërsa shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-së për punën që kryetari i saj dhe vetë gjykata po bëjnë.
“Para së gjithash kam njohur zotin Dedja para disa kohësh. Por në fakt më është dashur shumë kohë të vija këtu për një vizitë zyrtare. Zoti Dedja më ofroi ftesën dhe kemi folur për rolin që gjykata luan. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për rolin që ai luan dhe bën për drejtësinë në vend gjithashtu kam shprehur mbështetjen e fortë që SHBA bën këtu. Dhe besoj se në fakt forca e cdo demokracie mbështetet në efektivitetin e ndarjes së cdo pushteti”, theksoi Arvizu. Nga ana e tij, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja tha se vizita e ambasadorit amerikan në këtë institucion , “ishte në vazhdën e mbështetjes që SHBA i ka dhënë sistemit gjyqësor në Shqipëri”. “Pavarësisht, se Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor në Shqipëri, z ambasador u tregua i gatshëm që përmes përfaqësisë së SHBA-së të japë ndihmën, që ai e çmon të nevojshme, për përmirësimin e punës së Gjykatës. Ishte një vizitë njohje, perceptimi dhe diskutimi për problemet që shqetësojnë Gjykatën”, tha kryetari i Kushtetueses, Bashkim Dedja.





