GREQI, 24 maj 2013– Policia greke ka zbardhur ngjarjen e shkurtit të kaluar, ku një 59-vjeçar shqiptar u mbajt peng për rreth dy muaj.

Autorët e pengmarrjes, shtatë shqiptarë dhe një austriak, kërkonin nga gruaja e viktimës 130 mijë euro për lirimin e tij. 

Pengmarrësit i prenë gishtat burrit të saj dhe ia dërgonin me pako në shtëpi, në mënyrë që gruaja të bindej për t’u dhënë shumën e kërkuar. 

Sipas policisë, pengmarrja kishte ndodhur për shkak të një konflikti që kishte lindur nga prishja e një marrëveshjeje.

Besohet se viktima ishte përfshirë në trafikimin e 200 kg hashash nga Greqia drejt Gjermanisë.

Pengmarrësit kërkonin kthimin e sasisë së drogës prej 200 kg hashash dhe një shumë prej 50 mijë euro.

Policia greke thotë se viktima është torturuar në mënyrë makabër pasi atij i është prerë mishi me thikë dhe sende të mprehta dhe në plagët e tij ishin hedhur kripë dhe ujë i nxehtë.

Sipas mjekut ligjor, i rrëmbyeri kishte plagë të shumta dhe çarje në pjesë të ndryshme të trupit të tij dhe i ishin prerë dy gishtat e mëdhenj dhe gishtin e vogël të dorës së majtë.

Pengmarrja u bë më 31 janar 2013 dhe mori fund më 27 mars 2013.