Intervistë me kandidatin për deputet të PD për Durrësin, Igli Cara
DURRES, 23 maj 2013– Në një intervistë për “Metropol” kandidati PD për Durrësin, zoti Igli Cara, ka renditur disa prej arsyeve pse ai kërkon votën e durrsakëve për të qeverisur vendin edhe për një mandat të tretë kjo mazhorancë, duke theksuar faktin sipas tij se “ishte kjo qeveri që e ka integruar vendin në strukturat Euro-Atlantike, dhe po bëhet gati ta fuse atë denjësisht në BE”
Zoti Cara, pse duhet edhe një mandat i tretë qeverisës për PD?
Pyetja juaj më e drejtë do të ishte “Pse i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve një mandat i tretë i Partisë Demokratike në qeverisje?”
Përgjigja e kësaj pyetje në fakt është e gjatë dhe unë besoj që do më jepni mundësinë e përgjigjes. Politika siç do gjë në këtë botë ka ciklin e vet, ka zhvillimet e veta, sigurisht ka filozofinë, vizionin, por ka dhe rotacionin. Ka njerëz që mendojnë që pas 8 vitesh në qeverisje, ne jemi konsumuar, ka të tjerë (që në të drejtën e asaj që besojnë) kërkojnë të vijë PS në pushtet, ashtu siç ka shumë, shumë të tjerë që mendojnë vazhdimësinë e një programi të madh politik të nisur. PD erdhi në 2005 në pushtet me një program të qartë zhvillimi të vendit, erdhi dhe qëndroi në pushtet me një energji që për të thënë të vërtetën nuk rreshti kurrë.
Natyrisht, Shqipëria dhe shqiptarët kanë halle të mëdha dhe kjo lidhet me të shkuarën tonë historike, e cila nuk mund të ndryshojë për 8 vjet, por shumë nga projektet tona që u bënë realitet në këto vite do japin impaktin e tyre të shkëlqyer në vitet që vijnë. Projektet e qeverisë demokratike për ndërtimin e akseve të rëndësishme rrugore, mendoj që përbëjnë projektin më të rëndësishëm kombëtar dhe për të qenë të sinqertë ja dolëm, me kosto, por sigurisht dhe me shumë benefite për vitet që vijnë. Projektet për ndërtimin e rrugëve që të çojnë në det (dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe për qarkun tonë), si dhe projektet e ujësjellësve, po japin rezultatin jo vetëm në më shumë mirëqenie, në lulëzimin e turizmit, por dhe në zhvillimin e ekonomisë së fermerëve në zonat përreth.Vitet e qeverisjes sonë bënë arsimin e lartë një të drejtë për të gjithë, liberalizimi dhe masivizmi tashmë janë realitet. Natyrisht shumë prej nesh kërkojnë me të drejtë cilësinë dhe performancën e duhur në shkollat dhe universitet tona dhe kjo do të vijë, sepse imponohet nga tregu, në të cilin sigurisht do të fitojë më i miri, por dhe nga rregullat e kontrolli qeveritar, të cilat po i ngremë çdo ditë.
Në këndvështrimin politik, lëvizja e lirë e shqiptarëve në Evropë është premtimi ynë i madh i 1990, i bërë realitet. Natyrisht, projektin tonë të integrimit, Rama u përpoq ta pengojë fort, e pengoi i bindur se nëse kalonte statusi i vendit kandidat të Shqipërisë, Berisha do të kishte “carta bianca” dhe për shumë vite të tjera. Mosvotimi i tre ligjeve është dëmi më i madh që Rama i ka bërë popullit dhe vendit të vet. Ëndrra e karrikes kryeministrore nuk mund të kishte këtë çmim, po ky është Rama, kjo është PS e tij mavi, vonon perspektivën evropianë të shqiptarëve, djeg dhjetëra miliona euro investime e projekte të rëndësishme zhvillimi – dhe natyrshëm vjen pohimi, prandaj shqiptarët do na votojnë për mandatin e tretë, ata janë të zgjuar që të diferencojnë dy forca politike, njëra e zhvillimit dhe tjetra e bllokimit. Ne do votohemi për mandatin e tretë, sepse jemi një parti e madhe, një parti ku ka vend për të gjithë: për themeluesit, për të rinjtë, për të persekutuarit, për ata që punojnë çdo ditë në strukturat e partisë dhe ata që zhvillojnë programet e filozofinë tonë politike, por po tregojmë që jemi dhe për të gjithë ata që na kanë mbështetur në ditë të vështira e në momente decizive.
Cilat janë investimet që Qeverisja Berisha ka bërë në Durrës, dhe a mendoni se, ky qytet do të jetë sërish prioriteti kësaj qeverie edhe në fitoren e një mandati të tretë ?
Gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD, qarku i Durrësit ka qenë prioritet në disa akse shumë të rëndësishme të zhvillimit. Po rendis disa nga investimet kryesore: në Portin e Durrësit investimi në total 60 milionë euro, nga të cilat terminali i pasagjerëve 22 milionë euro, impianti ujrave të zeza 10 milionë euro; faza e dytë e spitalit të Durrsit 8.6 milionë euro, rruga Fushë –Krujë – Krujë – Sarisalltik 2 milionë euro, rreth 13 milionë euro për disa nga rrugët kryesore si Porto –Romano, Shkozet, Këneta; rruga e Gjirit të Lalzit 10 mililon euro; godina e parë e kampusit qeveritar 500 milionë lekë. Ndërkohë për qarkun janë ndërtuar 15 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 12 të tjera, për sa i përket qëndrave shëndetësore janë ngritur 7 të reja dhe rikonstruktuar 4.
Sipas jush, cilat janë përparësitë e kandidateve të PD nga ata të opozitës?
Në fakt nuk do më pëlqente të merresha me emrat e kandidatëve sepse ata janë vënë në listë nga kryetarët e partive, por një gjë është e qartë në listën e PS, në vend krejt të sigurt është Ilir Beqja, të cilit ju hoq mandati në legjislaturën që lam pas për një arsye të qartë korruptive dhe në shkelje të Kushtetutës, fitoi tendera në Bashkinë e Durrësit, pasi kishte marrë mandatin. Politika mavi, “Rilindja” tashmë e përmbysur u ofron qytetarëve durrsakë një njeri që ka abuzuar me taksat e tyre.
Për ta mbyllur këtë diskutim, një kandidat tjetër pa sens është Artur Bushi, i cili tashmë ka vendosur të lërë postin e kryekomunarit të ….. duke u treguar bashkqëqytetarëve të tij që pa asnjë problem braktis votat, premtimet që u ka dhënë dhe mbi të gjitha që është një person që nuk mban përgjegjësi qytetare dhe politike për premtimet që ka bërë para 2 vitesh…… vazhdojmë më tej.
A mendoni se më 23 qershor, PS dhe Rama do të mbeten sërish në opozitë dhe pse?
Jam i bindur që shqiptarët do ta lënë në opozitë Ramën dhe atë çka ai përfaqëson sot në të majtën shqiptare, për disa arsye.
E para dhe më e rëndësishmja, PS tashmë nuk ka asnjë lidhje me origjinën e saj, ajo është partia e Koços, Beqjas, Tomës dhe shumë njërëzve të tjerë, të cilët janë ose sponsorizuesit e karrierës politike të tij dhe të shkatërrimit të PS, ose ish-prokurorë të çështjeve të Ramës ose varianti Celibash i KQZ- së së 2003.
E dyta, Rama nuk respekton askënd në këtë vend dhe skenat me nënat a gratë, apo fotot me fëmijët në krah përveç hipokrizë së shpifur nuk kanë asgjë të vërtetë dhe nuk bindin gjithëkënd që di historitë e tij.
Së treti, shqiptarët nuk mund të votojnë modelin Rama të betonizimit dhe të tenderave të Koços, të Ilir Beqjas sepse këtë model e shporrën me votë më 8 maj dy vite më parë; së katërti, ku përfundoi Rilindja e madhe shqiptare, tek ngjalat në Lalëz apo tek Koço në listën e Vlorës?! Madje është qesharake kjo që do të them, po nuk ju duket që Rama punon që Berisha të qëndrojë në pushtet, më duket që roli i opozitarit tashmë i pëlqen dhe duket që ka vendosur të aktrojë gjatë, mbase e nxjerr dhe në pension të parakohshëm, pse jo!
Cilat janë premtimet konkrete që ju si kryetar i degës PD dhe si kandidat potencial i saj, u jepni qytetarëve durrsakë?
Për 4 vitet e ardhshme projektet e qeverisë për Durrësin do vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e qarkut në sektorë me rëndësi jetike për të dhe në përputhje me prioritetet tona: mirëqenie, punësim dhe integrim.
Projektet tona të ardhshme do jenë, ndërtimi i ujësjellësit të ri të Durrësit, një investim prej 86 milionë USD, ndërtimi i rrjetit të ri shpërndarës për të garantuar furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm për të gjitha bashkitë dhe komunat e qarkut të Durrësit, ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në të gjithë zonën rurale të qarkut të Durrësit.
Shtrimi i rrjetit shpërndarës 20 kV të energjisë elektrike edhe në pjesën rurale të qarkut të Durrësit, që do të garantojë furnizim dhe do të përballojë nevojat e zhvillimit. Ndërtimi i Unazës së Durrësit, duke përfshirë rrugën Kallm – Porto Romano, e cila do të rivlerësojë dhe do to shtojë potencialet e zhvillimit në gjithë qytetin e Durrësit, rikonstruksioni i rrugës së vjetër Durrës – Tiranë, e cila do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetës dhe do të nxisë zhvillimin në zonën ku ajo kalon, dërtimi i rrugës autostrada Durrës-Tiranë – Sukth – Bregdet, ndërtimi i landfill-it për territorin e qarkut të Durrësit, që do të zgjidhë problemin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Pastrimi nga ndotjet dhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ishëm, duke sjellë si përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit, ashtu edhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, rehabilitimi i plotë i kodrave të Vilës dhe Currilave, për të parandaluar plotësisht fenomenin e rrëshqitjes së dherave.Thellimi i kanalit hyrës dhe i basenit ujor pranë kalatave të portit të Durrësit, për t’i dhënë një nxitje edhe më të fuqishme transportit detar dhe shkëmbimeve tregtare. Zhvillimi dhe zgjerimi i arsimit profesional në qarkun e Durrësit, duke e shndërruar në një qendër kombëtare në këtë fushë, përmes decentralizimit në nivel rajonal të arsimit profesional dhe investimeve në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Ndërtimi i plotë i kampusit universitar të universitetit “Aleksandër Moisiu”, duke e shndërruar në një model për të gjithë vendin sa i përket mënyrës së organizimit dhe menaxhimit të një institucioni të arsimit të lartë. Aktivizimi dhe rivlerësimi i pasurisë kulturore-historike në territorin e qarkut të Durrësit, duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar turizmit.
/Metropol/





