DURRËS, 23 maj 2013– Ditën e djeshme më  datë 22.05.2013, ora 17.30, u ndalua shtetasi në kërkim Altin Tepshi, 39 vjeç, lindur e banues në lagjen nr-7 Durrës.

Sipas burimeve të policisë gjykata e Rrethit Durrës me vendim penal datë 29.03.2013 ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurimit personal ”Arrest në burg” për vepren penale ”Dhunë në familje”, parashikuar nga neni 130/a/1 i Kodit Penal.

Për veprën penale të sipërcituar ky shtetas është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Durrës me datë 01.04.2013.

Materialet  iu përcollën për ndjekje  Prokurorise Rrethit Durrës.

Ngjarja

DURRES, 17 janar 2013– Një 39-vjeçar nga Durrësi, nuk e ka pranuar dot idenë e divorcit nga gruaja e tij 31- vjeçare me profesion mjeke, me të cilën kishte një fëmijë disa muajsh. Për këtë arsye, ai ka shkuar në zyrën e saj mesditën e djeshme dhe ka tentuar t'i presë kokën me thikë.

Vetëm ndërhyrja e koleges ka mundur ta shpëtojë mjeken Anila Domi nga vdekja. Sipas policisë lokale, Altin Tepshi, 38 vjeç, ka goditur me thikë tre herë bashkëshorten e tij, ndërsa ka qenë në zyrën e saj të punës, në Drejtorinë Rajonale të Kujdesit Shëndetësor.

Mësohet se mjekja i kishte kërkuar bashkëshortit disa ditë më parë, divorcin dhe kujdestarinë e fëmijës, pasi kishin konflikte të vazhdueshme. Nga burimet policore mësohet se bashkëshorti ka qenë dje në zyrën e mjekes, në katin e dytë, në lagjen 6, ku gjendej edhe një tjetër kolege e Domit.

Pasi janë grindur për disa minuta, bashkëshorti Altin Tepshi, me thikë në dorë e ka pyetur nëse donte të divorcohej. Por pas përgjigjes së prerë të 31-vjeçares, e cila i ka thënë se nuk do të vazhdonte më, bashkëshorti e ka qëlluar disa herë në qafë dhe ka tentuar t'i presë kokën.

Në këtë kohë ka ndërhyrë kolegia, e cila e ka tërhequr 31-vjeçaren nga duart e bashkëshortit dhunues dhe ka lajmëruar policinë. 38 vjeçari, pas veprimit është larguar me shpejtësi, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.

Sipas bluzave të bardha të Durrësit, mjekja Anila Domi fatmirësisht nuk ka rrezik për jetën, pasi goditjet nuk kanë prekur venat kryesore. Mësohet se 31-vjeçarja, ishte kthyer në punë prej pak javësh, pasi kishte kryer lejen e lindjes.

Sipas policisë, mjekja kishte disa ditë që qëndronte në familjen e prindërve të saj, në lagjen 18 në Durrës, pasi ishte larguar nga banesa bashkëshortore.