DURRES, 22 maj 2013- Teuta po pret të njohë kundërshtarin e saj, me të cilin do të përballet në Europa Ligë më 4 korrik. Në kampin durrsak nuk mungon optimizmi se do të bëjnë një paraqitje dinjitoze në Europë. Mbrojtësi i Teutës, Artan Sakaj, i cili ka mbi shpatulla më tepër takime ndërkombëtare sa u përket klubeve, u shpreh se skuadra duhet më parë të njohë kundërshtarin dhe më pas të shpallë objektivin.

“Ne bëmë të pamundurën për të arritur objektivin, që është pjesëmarrja në Europa Ligë, dhe sigurisht që rruga jonë nuk ka përfunduar këtu. Do të japim maksimumin tonë që skuadra të ngjitet në nivelet më të larta, qoftë në Europë apo dhe në arenën kombëtare. Jemi shumë të kënaqur që jemi pjesë e këtij kompeticioni, ndërsa do të bëjmë gjithçka për të shkuar sa më larg të jetë e mundur”, – u shpreh fillimisht mbrojtësi, i cili ka shënuar dhe dy gola në Europa Ligë gjatë kohës që aktivizohej në radhët e Flamurtarit.

Ndërkaq, duke vijuar më tej, Sakaj pohoi se nuk mund të bëjë një parashikim nëse Teuta e kalon turin e parë apo jo.

“Për të folur mbi objektivin e skuadrës në Europa Ligë besoj se është pak herët. Nuk mund të shpallim objektivin, ndërkohë që ende nuk jemi njohur me kundërshtarin me të cilin do të përballemi. Shorti mund të na rezervojë një kundërshtar shumë të fortë, por edhe shumë të dobët, çka na jep mundësinë për të shpresuar. Ne kemi një skuadër shumë të mirë me lojtarë me eksperiencë, por nuk kemi bërë një ndeshje me skuadra të huaja për të parë vetën se në çfarë gjendje jemi. Detyra jonë është të punojmë fort dhe të jemi gati në momentin e duhur për të bërë një paraqitje të mirë. Pas grumbullimit, skuadra do të organizojë edhe ndonjë ndeshje miqësore me skuadra të huaja, për të parë forcën dhe për të krijuar një ide mbi mundësitë që do të kemi në Europa Ligë. Momentalisht nuk na mbetet gjë tjetër, por siç edhe e pohova më sipër, të punojmë fort dhe të jemi gati për të bërë detyrën tonë”, – përfundoi mbrojtësi Sakaj.

/l.m. Panorama/