DURRES, 22 maj 2013– Lidhja Demokratike e Gruas Shqiptare ka zhvilluar një takim me gratë e rajonit të Durrësit, ku fokusi ishte pjesëmarrja e femrave në vendimarrje. Në të morën pjesë edhe kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për këtë qark,  Igli Cara, Albana Vokshi, Osman Metalla, Oerd Bylykbashi, Kseanela Myderrizi, Mirlinda Ceka dhe Arian Dedej.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, njëherazi edhe e treta në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, Albana Vokshi, duke vlerësuar kontributin dhe forcën e femrës shqiptare, tha se, falë kësaj mbështetje, Partia Demokratike do të marrë mandatin e tretë qeverisës, për të vijuar reformat në favor të femrave. Vokshi gjithashtu nuk la pa përmendur edhe një prej arritjeve të qeverisë Berisha, sikurse janë rritjet e pagave dhe pensioneve, një fakt i cili ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në mirëqenien e grave dhe familjeve të tyre.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike të degës së Durrësit, njëkohësisht kandidati për deputet, Igli Cara. Në fjalën e tij, Cara tha se ky me të drejtë quhet shekulli i grave, pasi arritjet dhe performanca e tyre, veçanërisht në ekonomi, është për t’u vlerësuar. Nga ana tjetër, sipas Carës, mbetet ende punë për t’u bërë, duke propozuar madje, që disa shërbime, sikurse është edhe ai shëndetësor, të rregullohen me ligj në favor të grave.

Oerd Bylykbashi, kandidat për deputet në qarkun e Durrësit dhe një prej hartuesve të kodit zgjedhor, në fjalën e tij përshëndetëse për zonjat e pranishme në këtë takim, ju tha atyre se Partia Demokratike propozoi që në këto zgjedhje, listat emërore të kandidatëve, të kishin një në tre emra, një femër, një iniciativë e cila nuk u përkrah nga partitë kundërshtare.

Edhe deputeti Osman Metalla, në fjalën e tij tha se femrat nuk mund të votojnë kurrësesi njeriun që ka dështuar në çdo sipërmarrje të tij politike dhe nuk i ka mbështetur ato.

Aktivitetin e përshëndetën edhe kandidatët Kseanela Myderrizi, Mirlinda Çeka dhe Arian Dedej, të cilët thanë se në 23 qershor, femrat do ta japin votën e tyre në favor të mirëqenies, punësimit dhe integrimit, duke i dhënë mandatin e tretë Partisë Demokratike.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/