· Absurdi, operatorët i përbuzin bashkatdhetarët dhe pse fitojnë prej atyre që e përbëjnë 48 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve
· Vërejtje nga Prishtina: pushuesve u ofrohet vetëm deti dhe plazhi, ndërsa duhen orientuar në turizmin kulturor
PRISHTINË, 22 maj 2013 –Vlerësohet se pushuesit kosovarë shpenzojnë në bregdetin e Shqipërisë deri në 200 milionë euro në vit, njofton e përditshmja “Zëri” e Prishtinës.
Sipas ekspertëve vendorë të turizmit, gjatë muajve të verës pushimet në bregdetin shqiptar i kalojnë 700 mijë deri në 800 mijë veta dhe shumica prej tyre orientohen në bregdetin e Durrësit e më pak në Vlorë e Sarandë. Madje shkrimin e shoqëron me foto ilustruese nga plazhi i Durrësit
5 veta, 1500 euro në 10 ditë
“Vlerësohet se pushuesit kosovarë për pushimet verore në bregdetin e Shqipërisë çdo vit i shpenzojnë rreth 200 milionë euro”, thotë Zekë Çeku, ekspert i turizmit.
Shpenzimet mesatare të një familjeje me pesë anëtarë në bregdetin e Shqipërisë për 10 ditë shkojnë deri në 1500 euro, mirëpo ka edhe të atillë që shpenzojnë edhe më pak, shkruan “Zëri”.
“Ka familje që shpenzojnë edhe më pak për 10 ditë në bregdetin shqiptar, mirëpo ka edhe të atillë që bëjnë shpenzime më të larta”, pohon Çeku.
Përbuzja
Pavarësisht dhjetëra miliona eurove shpenzimeve për çdo vit në Shqipëri, sipas Çekut, pronarët e apartamenteve dhe bizneseve të ndryshme në bregdet e përbuzin pushuesin kosovar, duke ngritur artificialisht çmimet e artikujve të ndryshëm dhe duke mos treguar kujdesin e duhur ndaj këtyre konsumatorëve.
Eksperti kosovar i turizmit po ashtu ka vërejtje edhe sa i përket ofertës turistike të Shqipërisë, ku, sipas tij, Shqipëria pushuesve u ofron vetëm detin dhe plazhin, ndërsa nuk orientohet në turizmin kulturor.
Numri më i madh
Në Panairin e Turizmit që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë, Shqipëria u përfaqësua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT).
Drejtorja e Promocionit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në AKT, Anisa Sheldija, pati pranuar më këtë rast se turistët nga Kosova përbëjnë edhe numrin më të madh të turistëve që vizitojnë Shqipërinë.
Sipas Sheldisë, vetëm gjatë vitit të kaluar qytetarët kosovarë zunë 48 për qind të numrit të përgjithshëm të turistëve që vizituan Shqipërinë, citon “Zëri”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





