DURRES, 22 maj 2013– Mbrëmjen e ditës së djeshme më datë 21.05.2013, rreth orës 23.30, policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Ardian Rrustemi, 43 vjeç, banues në fshatin Shtoi i Ri Shkodër.
Sipas burimeve policore rreth orës 22.10 të po kësaj date, në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Durresit, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën e markës Peugeot me targa AP921PL që drejtohej dhe ishte në pronësi të 43 vjeçarit Ardian Rrustemi, në dyshemenë e automjetit u gjetën 14 pako në formë paralelopipedi të mbështjella me ngjites celefon transparent, brenda së cilave kishte përmbajtje pluhuri ngjyrë bezhë që për nga aroma dhe karakteristikat fizike ngjason me lëndën narkotike Heroinë, e cila nga peshimi rezultoi në masën e 7 kg e 939,75 gr, lëndë kjo të cilën shtetasi në fjalë synonte t’a trafikonte drejt Italisë.
Sipas policisë së Durrësit në cilësinë e proves materiale krahas lëndës narkotike u sekuestrua shuma prej 120 euro, dy aparate telefonike celulare, 2 karta Sim si dhe automjeti me targa AP921PL.
Mbi shtetasin në fjalë rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Trafikim i lëndëve narkotike“.





