DURRES, 22 maj 2013- Që prej katër muajsh jetojmë si të ngujuar. Pas vrasjes së bashkëshortit tim, kemi frikë të dalim nga shtëpia pasi erret. Vrasësit janë ende të lirë. Policia nuk bëri asgjë për identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndërkohë që mua dhe fëmijët e mi na mban me bukë kunati". Kështu deklaroi dje Lindita Kotarja, bashkëshortja e kambistit Fatmir Kotarja, i cili u grabit dhe u ekzekutua më 27 janar të këtij viti në afërsi të banesës së tij në sektorin "Iliria" të plazhit të Durrësit. 46-vjeçari me origjinë nga Kukësi, baba i dy fëmijëve minorenë, u sulmua dhe u qëllua për vdekje me automatik brenda në makinën e tij nga dy persona të maskuar. Sipas burimeve policore, grabitësit i kishin zënë pritë viktimës dhe vëllait të tij, Haxhi Kotarja, i cili fatmirësisht u shpëtoi plumbave.
Me gjithë hetimet e bëra, uniformat blu ende nuk kanë mundur të zbulojnë dhe të vënë në pranga autorët e krimit. Ndërkaq, të afërmit e viktimës presin që të vihet drejtësia në vend. Në një intervistë dhënë dje për "Gazeta Shqiptare", Lindita Kotarja pohoi se shpresat se policia do t'i kapë autorët e do t'i vërë para drejtësisë janë të pakta. Ajo i lutet Zotit që t'u mbyllë plagët. Bashkëshortja e viktimës u shpreh se është e rrënuar ekonomikisht dhe nuk ka të ardhura për të rritur dy fëmijët minorenë; Klajdin 16-vjeçar e Sadien 15-vjeçare.
Lindita, u bënë disa muaj që Fatmiri është vrarë, si e përjetojnë fëmijët?
Më 27 maj bëhen 4 muaj nga vrasja e bashkëshortit tim, Fatmirit. Ne të gjithë jemi të shokuar nga ajo që ndodhi, jemi ende të frikësuar. Ata që vranë Fatmirin nuk janë kapur ende. Im shoq punonte dhe mbante me bukë gjithë familjen. Tani fëmijët kanë kërkesa, por nuk ua përmbush dot. Kemi frikë, djali dhe vajza sapo erret futen brenda në shtëpi. Po jetojmë si të ngujuar.
Pse e thoni këtë?
Po ata që erdhën, nuk na morën vetëm lekët, morën dhe jetën e njeriut tonë të dashur. Na e vranë para syve tanë, ditën për diell, sapo do futej në shtëpi. Ne jemi tani hallexhinj, pa të ardhura. Asnjëri nga ne nuk është në punë.
Me se po jetoni?
Kur punon kunati, vëllai i bashkëshortit tim, Haxhiu, na sjell dhe neve lekë për bukë. Me se të jetojmë?! Atë ditë që vranë burrin i vodhën edhe 25 milionë lekë. Më përpara hajdutët u vodhën 50 milionë lekë. Tani jemi trokë. Vajza mbaron klasën e 9-të dhe do të shkojë në mbrëmje të Maturës, por nuk mundem dot t'i blej një fustan. Djali do të shkojë në punë, se hapen punë tani në plazh, por kam frikë ta lë të shkojë.
Lindita, pse ndiheni të frikësuar?
Jemi të frikësuar, sepse edhe më parë burri dilte nga shtëpia me çifte dhe hynte me çifte, pasi kishin rënë pre e hajdutëve. Tani sapo erret u them fëmijëve të hyjnë brenda, dhe ata e dinë, nuk rrinë kurrë jashtë shtëpisë po ra nata. Policia deri tani nuk ka bërë asnjë gjë për t'i kapur vrasësit.
Cili është apeli juaj?
Ne kërkojmë me forcë që shteti dhe organet kompetente të gjejnë autorët; të paktën fëmijët duan të dinë kush ua vrau babain. Pasi kështu, pa u gjetur autorët, plagët nuk mbyllen kurrë. Herën e parë kur u grabitën 50 milionë lekë, burri dhe vëllai i tij u rrahën për vdekje nga autorët e krimit. Policia i arrestoi dhe i lëshoi prapë. U bënë gjyqe dhe ata janë të lirë. Tani për herë të dytë, nuk ka asnjë autor të dyshuar. Si të mos ngujohemi, si të mos jemi të frikësuar?!
/BW/





