DURRES, 22 maj 2013– Nis përplasja publike mes socialistëve dhe demokratëve në Durrës, një nga zonat më të nxehta të kësaj fushate elektorale në vend. Selia blu e Durrësit ka reaguar ndaj deklaratës së kryesocialistit të qytetit bregdetar, Alfred Mullaraj duke deklaruar se socialistët po e përdorin si alibi përfshirjen e administratës publike në fushatë për të justifikuar humbjen që i prêt në Durrës më 23 qershor. Përmes kandidates për deputete, dekanes së Fakultetit të Edukimit Kseanela Myderrizi Partia Demokratike e Durrësit, ka reaguar duke denoncuar edhe fushatën denigruese të Ramës dhe autobuzit të tij, si dhe përdorimin e administratës së bashkisë.

“Partia Socialiste ka gjetur alibinë e radhës për humbjen që e pret në Durrës dhe kjo qenka administrata publike. Akuzat e kryetarit të Partisë Socialiste të Durrësit nuk janë të reja, ai vetëm sa përsërit urdhërat e Edi Ramës. Ata njëherë akuzojnë se administrata është mbushur me militantë, e herën tjetër thonë se po u marrim votën me zor. Socialistët, njëherë i ofendojnë e i provokojnë mësuesit, mjekët e infermierët, duke u thënë deri edhe injorantë, ndërsa tani i merrkan gjoja në mbrojtje. Sot, ata i quajtën skllevër punonjësit e institucioneve të shtetit në Durrës, dhe kjo është fyerje shumë e rëndë. Edi Rama dhe sejmenët e tij fyen edhe një herë tjetër gjithë punonjësit e administratës. I fyen sepse, nga autobusi ku është, ai nuk e sheh dot qytetarinë. Partia Demokratike denoncon me forcë atë që ndodh me punonjësit e Bashkisë së Durrësit. Ne nuk na interesojnë aspak bindjet e tyre politike, por na intereson shërbimi ndaj qytetarëve. Administrata e Bashkisë së Durrësit ka harruar çdo lloj detyrimi për t’ju shërbyer qytetarëve dhe është vënë në shërbim të plotë të partisë së kryetarit të Bashkisë. Partia Socialiste nuk ofron alternativë dhe bën atë që ka bërë për tetë vjet: mohon e sulmon çdo arritje të qeverisë. Por, pa as më të voglin dyshim, asgjë nuk do ta ndalë uraganin blu të fitores në Durrës e kudo në Shqipëri.”

Të dyja forcat e mëdha shprehen të sigurta në fitoren e tyre dhe humbjen e rivalit, ndërkohë që do të jetë vota e qytetarëve që do të vendosë përfaqësimin e tyre në parlament dhe forcën politike që do të qeverisë vendin gjatë 4 viteve të ardhshme. Deri atëherë, elektorati, veçanërisht ai i zonës gri, larg militantizmit, do të ketë mundësi të vlerësojë qasjet, alternativat e forcave politike dhe të vendosë se kujt do t’i japë të drejtën e gëzimit të pushtetit me të gjithë përfitimet dhe përgjegjësitë e tij.

/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah“/