Halimi, Kruja e Fushë-Kruja do t'i japin Durrësit mandatin e 8-të në zgjedhjet e 23 qershorit
Kandidatët e partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, kanë zhvilluar një takim me të rinjtë e qytetit të Krujës. I pranishëm në takim, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, i cili kryeson dhe listën për Durrësin, ka shprehur besimin se të rinjtë e Krujës do ta mbështesin alternativën e partisë Demokratike dhe do t'i japë asaj tetë deputet. "Kruja ka qenë gjithmonë blu dhe do të jetë blu edhe në zgjedhjet e 23 qershorit. Kruja dhe Fushë-Kruja do t'i japin Durrësit mandatin e tetë, në zgjedhjet e 23 qershorit", tha Halimi.
Të pranishëm në këtë takim elektoral, ishin edhe kandidatët për deputet Gent Strazimiri e Merita Bakiu. Strazimiri, teksa iu drejtua të rinjve, theksoi se Kruja do të votojë partinë Demokratike për më shumë punë e zhvillim, e për t'i thënë jo bllokimit të socialistëve. Sipas tij zgjedhjet e 23 qershorit janë vendimarrëse për të orientuar vendin drejt politikave më të mira për zhvillim e mirëqenie.