LSI fshin “Meta kryeministër”, lajthit ish-prokurori i qytetit bregdetar
DURRËS, 20 maj 2013 –Ha “kumbulla” në Berat Nasip Naçoja, i mpihen “dhëmbët” Lefter Kokës në Durrës.
Nëse faqet e para të disa të përditshmeve kishin si titull thënien e kandidatit të LSI-së në qarkun e Beratit Nasip Naço se Ilir Meta “më 23 qershor do të jetë Kryeministri i Shqipërisë”, nuk ka ndodhur kështu me organin e LSI-së “Integrimi”, që e kishte fshirë jo vetëm nga “front-pejxh”-i, por edhe nga pjesa e botuar e fjalimit në faqet 4-5.
Paragrafi ka këtë formë të cituar nga gazetat e datës 20 maj: “Lëvizja Socialiste për Integrim është forca që do të realizojë këtë ndryshim, pasi ne kemi një lidership të provuar në këto vite, që di t’i fitojë zgjedhjet, por edhe t’i mbrojë ato. Ai është Kryeministri më i suksesshëm i së majtës në Shqipëri, është lideri i së majtës, ai është Ilir Meta. Më 23 qershor do të jetë Kryeministri i Shqipërisë dhe ai do të bëjë më shumë se gjithë kryeministrat e tjerë, sepse është djali juaj. Ai ka lindur në këtë qark, do të bëjë për këtë qark dhe do bëjë realitet të gjitha premtimet”.
Edhe pse Ilir Meta ka qenë i pranishëm në miting dhe mund t’i ketë pëlqyer ëndrra kryeministrore, nuk e ka parë të përshtatshëm nga pikëpamja e strategjisë së fushatës deklarimin e Naços.
Me sa duket Meta ka pasur parasysh maksimën e njohur se servilët prishin më shumë punë se kundërshtarët e deklaruar.
Ka qenë vetë “kryeministri” hipotetik që ka urdhëruar “Integrimi”-n të hiqte tri fjalitë e fundit nga fjalimi i ekzaltuar i Naços: “Më 23 qershor do të jetë Kryeministri i Shqipërisë dhe ai do të bëjë më shumë se gjithë kryeministrat e tjerë, sepse është djali juaj. Ai ka lindur në këtë qark, do të bëjë për këtë qark dhe do bëjë realitet të gjitha premtimet”.
Burime nga shtabi i kandidatit Lefter Koka, që vjen i dyti pas Metës në hierarkinë e partisë, bëjnë të ditur se deklarimi i ish-prokurorit të Durrësit Nasip Naço është një lajthitje a mediokritet politik dhe prish punë në fushatë, pasi “tremb” anëtarët e lëkundur të PS-së që mund të votonin për LSI-në, me një fjalë, për “Terin”.
Madje, një nga njerëzit me të afërt të Kokës përdor shprehjen e njohur “peshku në det dhe tigani në zjarr”
Edhe nëse ka një plan B, “Meta Kryeministër”, madje plan C, “Meta kryetar i PS”, realizimi do të varet nga numri i deputetëve që do të sigurojë jo vetëm LSI-ja (“peshku në det”) por edhe PS-ja që mund të mos ketë nevojë për LSI-në.
Për LSI-në e Durrësit është herët për ta vënë “tiganin në zjarr”.
Fakti që u bë shumë zhurmë nga “guri që hodhi në lumë” Naçoja, Meta u detyrua në paraditen e 20 majit 2013 të dilte në një konferencë shtypi, duke i dhënë përgjigje edhe Berishës, për thënien: “Meta do t’i zërë karrigen Ramës në krye të së majtës dhe të zërë karrigen time në krye të qeverisë”.
Meta bëri të qartë se “me Ramën kemi një objektiv, të largojmë këtë kryeministër; sa për kryeministrin e ardhshëm, ai do të zgjidhet në përputhje me rregullat e normat e demokracisë”,.
Kreu i LSI-së deklaroi se me Ramën ka“rënë plotësisht dakord që Doktori të mos jetë më kryeministër”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





