Njëri nga themeluesit e bendit legjendar “The Doors”, Ray Manzarek, ka ndërruar jetë në moshë 74-vjeçare.

Muzikanti ka vdekur në Rosenheim të Gjermanisë pas luftës së gjatë me kancerin e duktusit biliar.

Manzarek që luante në piano, organo dhe bas, së bashku me frontmenin Jim Morrison e themeluan bendin ikonik pas takimit të tyre në Kaliforni (1965).

“The Doors” u bë njëri nga grupet më të suksesshme të rokenrollit në vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta dhe muzika e tyre vazhdon të dëgjohet sot e kësaj dite.

Këngët si “Light My Fire”, “The End”, “Break On Through”, “L.A. Woman”, “Riders On The Storm” etj., janë disa nga hitet në krijimin e të cilave ndihmoi Manzarek.

Pas vdekjes së Morrison (1971) dhe shpërbërjes së grupit (1973), Manzarek bëri muzikë me disa bende të tjera, përfshirë “Nite City” (1977–1978) dhe “Manzarek-Krieger” (nga viti 2002, së bashku me kitaristin e “The Doors”, Robby Krieger).