TIRANE, 20 maj 2013– Kryetari i PS Edi Rama heq çdo dyshim lidhur me garën brenda koalcionit të majtë, për postin e kryeministrit, duke deklaruar se këtë çështje e zgjidh vullneti i popullit. Kreu socialist tha se e majta është kompakte në këtë garë dhe se do ti fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Deklaratat që lidhen me dyshime se kush do jetë kryeministër në rast të fitores të së majtës, për  Ramën janë produkt i diversionit të Berishës. 

"Aleanca për Shqipërinë Europiane është kompakte, PS është forca udhëheqëse e kësaj aleance në kohezion e sintoni të plotë me LSI, si pjesa tjetër e boshtit strategjik të aleancës, me gjithë aleatët e tjerë. Se kush do të jetë kryeministër i ardhshëm, pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për tu zgjidhur, bazuar mbi çfarë thotë Kushtetuta", tha Rama.

Sa i përket KQZ, Rama tha se KQZ aktuale është si një organizatë politike që nuk garanton asnjë standart të zgjedhjeve. 

"Nëse duan ta mbajnë KQZ-në si organizatë partie, le ta mbajnë, aty e kanë. Ta bajnë bashkë me përgjegjësinë që do të mbajnë para popullit nëse KQZ do të sillet si organizatë partie në zgjedhje. Nuk mund të ketë zgjedhje normale me Saliun, ne këtë e dimë", tha Rama.

Në përgjigje të deklaratave të kryeministrit për votën e tre ligjeve të integrimit, Rama u shpreh se opozita nëpërmjet kryetarit të LSI, ka bërë një ftesë për votimin e tyre. Sipas Ramës,  pengesa për të votuar tre ligjet është pikërisht kryeministri Berisha dhe mazhoranca demokrate.