ITALI, 20 maj 2013– Tre persona u ndaluan nga policia e Anconas në Itali teksa udhëtonin me makinë, brenda së cilës u gjetën 11 kilogramë drogë.
Tre të ndaluarit udhëtonin në dy makina njëra tip Nissan dhe tjetra Renault Megan.
Policia prej disa kohësh ishte vënë në ndjekje të tyre, deri sa u ndaluan nga policia në një postbllok.
Lënda narkotike ishte ndarë në pesë pako të mbështjella me plastmas dhe ishte fshehur në gomën rezervë të mjetit, brenda të cilit udhëtonin shqiptari Sokol Pepa 36 vjeç dhe një vajzë nga Rumania e së njëjtës moshë, e identifikuar si E.Lotrea, që të dy me banim në Romë.
Të sipërpërmendurit në ndalesën e policisë u shtirën si të fejuar, por në të vërtetë e vetmja gjë që i bashkonte ishte tregtia e drogës.
Sakaq pas tyre me një makinë tjetër, vinte edhe bashkëpunëtori tjetër i identifikuar si 23 vjeçari shqiptar Florjan Bulla, të cilit edhe pse nuk iu gjet drogë në makinë, nga hetimet rezultoi si pjesë e rrjetit të shpërndarësve të drogës.





