DURRES, 20 maj 2013– Në kampin durrsak janë të bindur për një paraqitje dinjitoze në Europa Ligë, ndërsa nuk mungon optimizmi dhe besimi për të kaluar një tur në këtë kompeticion. I orientuar nga informacionet e serviruara nga gazeta “Panorama Sport”, e cila në numrin e djeshëm kishte publikuar kundërshtarët e mundshëm më të cilët mund të përballet Teuta, sulmuesi Bledar Mancaku është shprehur se skuadra e tij ka realisht shanse për të kaluar në fazën tjetër të këtij evenimenti.

“Tashmë kam një ide më të qartë mbi kundërshtarin që mund të përballemi. Pak a shumë janë skuadra të nivelit tonë dhe realisht kemi shanse për të pasur një ecuri pozitive. Ato janë vetëm dy përballje dhe gjithçka mund të ndodhë brenda 180 minutash, por ne do të bëjmë gjithçka për të kaluar në turin tjetër. Nga ajo çfarë pashë, Teuta nuk ndihet inferiore me asnjë skuadër që merr pjesë në këtë raund dhe do të përpiqemi që këtë fakt ta shfrytëzojmë në favorin tonë. Do të përpiqemi të kualifikohemi ndaj çdo kundërshtari që do të na rezervojë shorti dhe nuk i trembemi asnjërit prej tyre. Skuadra sapo mbylli një sezon të suksesshëm dhe kemi mjaft besim se do të kalojmë në turin tjetër”, – u shpreh lojtari.

Përveç kësaj, duke vijuar më tej Mancaku tha se një paraqitje dinjitoze në Europa Ligë do të garantojë një sezon të suksesshëm për skuadrën.

“Paraqitjet që skuadra do të bëjë në Europa Ligë do të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e saj për sezonin e ri. Nëse do arrijmë të kalojmë turin e parë, atëherë me siguri do të ketë ambicie dhe do të jetë e etur për të fituar trofe vitin tjetër. Kemi një skuadër kompakte me lojtarë cilësorë, e cila me pak vullnet garanton për një të ardhme të suksesshme. Me siguri sezonin e ardhshëm Teuta do kërkojë të bëjë të sajin një prej dy trofeve. Këtë vit bëmë një sezon të mirë dhe e arritëm objektivin, por sezoni tjetër do të jetë më i vështirë, pasi skuadra nuk do të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen në Europë. Tashmë jemi një skuadër e pjekur dhe me eksperiencë, ndaj ka ardhur koha për të fituar trofe”, – përfundoi Mancaku.

Kjo, java vendimtare për rinovimet 

Java që sapo ka hyrë pritet të jetë vendimtare, si për lojtarët që u ka përfunduar kontrata me klubin, ashtu edhe për ata që do të veshin fanellën e Teutës për sezonin e ri. Ata, të cilëve u ka përfunduar kontrata janë në ankth për të ardhmen. Asnjëri prej tyre nuk ka firmosur deri më tani, por mësohet se pjesa dërrmuese e grupit do të ruhet. Në Durrës janë në pritje edhe të emrave të parë të merkatos: se kush do të afrohet dhe nëse do të ketë firo të tjera pas largimit të Arjan Shetës. Deri më tani nuk ka ndonjë emër konkret, por burime pranë klubit zbulojnë se stafi teknik është vënë në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë. Një ndër pistat është rikthimi i ish-sulmuesit Mirel Çota.

/l.m. Panorama/