Para hyrjes nr 4 është parashikuar ndërtimi i një sheshi prej 5500 metra katrorë për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar më parë udhëtimin me traget
DURRËS, 20 maj 2013 –Edhe një investim i rëndësishëm prej 230 milionë lekë në portin kryesor të Shqipërisë po shkon drejt përfundimit.
Projekti i financuar nga vetë Autoriteti Portual Durrës, është zbatuar në afro 80 për qind të tij, çka do të thotë që rruga hyrëse e automjeteve në fillim të muajit qershor do të ketë një pamje krejtësisht të re.
Traseja e rrugës me gjatësi 740 metra dhe gjerësi 19 metra ka përfunduar tërësisht, ndërsa procesi i asfaltimit i nisur që në muajin mars por shkon drejt përfundimit, ashtu sikurse edhe ndërtimi i rotondës hyrëse, ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i APD, ing. Eduart Ndreu.
Projekti
Porta e hyrje-daljes së automjeteve në pjesën juglindore të portit do të ketë gjerësinë 19 metra të vetë rrugës.
Ajo do t’i shërbejë kontrollit elektronik të automjeteve 100 metra larg hyrjes ekzistuese, brenda territorit portual.
Porta numër 4 do të pajiset sipas të gjitha standardeve portuale evropiane.
Një projekt shtesë do të sigurojë peshimin dinamik në lëvizje të të gjitha automjeteve të rënda që hyjnë dhe dalin nga porti, për të garantuar peshën e tyre për aks në funksion të sigurisë së rrugëve dhe vetë mjeteve.
Projekti i rrugës dhe portës nr. 4 përfshin një sipërfaqe të përgjithshme punimesh prej 27 mijë metër katrorë.
Përveç këtyre elementëve kryesorë para hyrjes nr 4 është parashikuar ndërtimi i një sheshi prej 5500 metra katrorë për të gjithë automjetet që nuk kanë prenotuar më parë udhëtimin me traget.
Pranë këtij sheshi mund të kryhen të gjitha procedurat paraprake të udhëtimit.
Rruga e re që mbërrin pranë terminalit të trageteve do të ketë 6 korsi dhe do të jetë e ndarë në dy kahe të lëvizjes së automjeteve.
Në krahun e kangjellave ndarëse me stacionin hekurudhor të udhëtarëve projekti parashikon ndërtimin e një trotuari për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa në të dy anët e rrugës është parashikuar edhe krijimin i një sipërfaqeje të gjelbëruar.
/e. a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





