GJIROKASTER, 20 maj 2013– Kryeministri Berisha ka vijuar edhe sot nga Gjirokastra akuzat për koalicionin Rama-Meta, ndërkohë që nuk ka kursyer edhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ndërsa ka inauguruar rikonstruksionin e rrugës Llongo-Koshovicë në Gjirokastër, shefi i qeverisë theksoi se Rama dhe Meta kanë mbajtur qëndrime jo dinjitoze ndaj minoritetit.

“Të quajturit opozitarë, që nuk janë, se Rama ka qenë 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm, kryetari i bashkisë, ndërsa Meta qëndroi 4 vjet si zv/kryeministër në qeveri dhe iku me qëllimin e vetëm të marrë kreun e PS ose karrigen time që s’do e marrë kurrë, kjo është e vërteta. Janë sjellë në mënyrë jonormale ndaj minoritetit kanë mbajtur një qëndrim jo dinjitoz” ,-tha Berisha.

Ndërsa i ka ftuar banorët të votojnë Spiro Kserën të cilin e ka cilësuar ministër të përkushtuar, kryeministri Berisha akuzoi Vangjel Dulen se ka bërë pazare me Ramën në dëm të minoritetit grek.

“Rama i mashtroi dhe Jani Jani u nxor nga komisioni, dhe solli Naçin, ai e ka mendjen te nafta, Vangjel Tavo, e futi në listën e zezë, në marrëveshjen Tavo, Manjanin, Luan Rama se mund të kandidojë në listat e PS. Ju keni këtu një birin tuaj që mbetet avokat i pamposhtur, ai është ministri Ksera. Në 23 qershor do votoni si qytetarët të lirë, po unë them të votoni Spiro Kseren, ai është promotori i të gjitha projekteve në zonën e minoritetit, ai është një ministër i përkushtuar”,- tha Berisha.