TIRANE, 20 maj 2013– Klodian Marku, një prej katër personave që u mbajtën peng dhe u dhunuan, tregoi tmerrin dhe torturat e 24 orëve.
Sipas tij, pengmarrësit grekë i kishin lidhur e keqtrajtuar.
Klodian, a mund të na thoni çfarë ka ndodhur me ju në Greqi?
Disa ditë më parë u nisa në Greqi te të afërmit e mi. Doja të punoja, pasi familja kishte nevojë. Të afërmit jetojnë në katin e parë, ndërsa një kat më lart jeton një familje greke. Tri ditë më parë, banesa në katin e dytë ishte grabitur. Ne nuk kishim dijeni dhe u shtrimë si çdo natë për të fjetur. Por erdhi policia dhe na mori. Na pyetën nëse dinim gjë për autorët dhe, pasi morën të gjitha të dhënat dhe shenjat e gishtave, na liruan.
Po më pas çfarë ndodhi?
Unë dhe kushëriri im, Kristiani, dolëm pak më mbrapa nga komisariati. Pak metra më tutje na ndaluan te këmbët dy makina. Na u prezantuan se ishin të Policisë, por në të vërtetë ishte greku që jetonte sipër nesh me disa shokë të tij. Ne kujtuam se ishin të Policisë dhe hipëm me ta. Pasi bëmë një pjesë rrugë, mjeti devijoi drejt një rruge që të çonte në mal.
Sa persona ishin dhe a ju komunikuan gjë gjatë rrugës?
Ishin disa persona, në dy makina. Kur na çuan në mal, na lidhën të dyve këmbë e duar. Na vunë një litar në fyt dhe na e shtrëngonin. Filluan të na keqtrajtonin, na qëllonin me çfarë të kishin në dorë me litar, leva, dru, ç’t’u kapte dora. Tregoni kush e plaçkiti shtëpinë, na thoshin. Por nuk kishim dijeni. Na kërcënonin me jetë. E panë që nuk doli gjë dhe thanë nëse doni të shpëtoni gjallë, duam 25 mijë euro. Morëm në telefon babain dhe vëllain e Kristianit dhe u thamë këtu-këtu është puna. Ata erdhën menjëherë.
Çfarë u thanë ata pengmarrësve grekë?
Thanë që nuk kemi lidhje me këtë punë dhe nuk kemi para për t’u dhënë. Na morën të katërve dhe na çuan te shtëpia. Aty na futën brenda dhe na ruanin që të mos dilnim. Në një moment ruajtëm rastin kur nuk e kishin mendjen dhe u larguam nga dritarja. Ikëm larg nga fshati dhe jemi fshehur në një vend tjetër. Kemi mbetur mes katër rrugëve, nuk dimë se ku të shkojmë. Jemi shumë të tmerruar, pasi kemi shpëtuar një fije nga vdekja. Tani presim që shteti të na ndihmojë në një mënyrë ose tjetrën, pasi i druhemi arrestimit pa bërë asnjë faj.
/Panorama/





