DURRES, 19 maj 2013– Kandidati për deputet në qarkun Durrës Agron Duka ka zhvilluar një takim me banorët e Shijakut duke iu premtuar investime ashtu siç ka bërë gjatë mandatit të tij 2001-2005, kur ka qenë njëherësh deputet dhe ministër Bujqësie.
“Ika nga Partia Socialsite sepse nuk mund të kandidoja jashtë qarkut të Durrësit. Unë dua të punoj në zonën time, sepse këtu ndihet dhe vlerësohet kontributi im, ndaj refuzova të shkoja në Berat nën logon e Partisë Socialiste. Ju premtoj se kur të marr mandatin do të punoj dhe më shumë për këtë qark. Unë vij të kërkoj votën, jo vetëm si djali juaj, por edhe si një bashkëpuntori juaj, që së bashku të punojmë për të ndryshuar atë pjesë të Shijakut që ka ngelur e harruar. Është nisur Pallati i Sportit dhe ende nuk është përfunduar. Ju e dini që unë vij nga fusha e sportit, ndaj nuk mund ti lë të rinjtë që duan sportin të mos materializojnë dëshirat e tyre për shkak të mungesave nga ana e infrastrukturore. Meqë volejbolli këtu është harruar, unë mendoj që ti japim sërish dimesionin e duhur, si atëherë kur unë isha President i ekipit të Erzenit të Shijakut (gjatë peridhës 1995-1998) dhe kemi fituar tre herë kupën e kampionit”- është shprehur deputeti Duka përpara banorëve të Shijakut.
Sportistët e Shijakut nënvizuan se pas 2005, nuk është bërë investim për sportin, ndaj kërkuan që të investohet sa më shumë në këtë fushë.
“Pas 2005 janë ndërprerë të gjitha investimet në fushën e sportit. Dmth pas ikjes së Agronit ne nuk kemi më sport këtu”, është shprehur një prej sportistëve të Shijakut.
Ndërsa kryetari i PR-së së Shijakut, Metali Deliallisi ka nënvizuar se duhet ti jepet menjëherë zgjidhje edhe çështjes së pronës së xhamisë së Shijakut. Sipas tij, kjo është kthyer në një shqetësim për komunitetin musliman.
“Ju e dini që ekziston një problem për pronën e xhamisë, sepse pallati i Kulturës është ndërtuar mbi pronën e xhamisë. Ne shpresojmë që këtë ta zgjidhim gjatë mandatit kur Goni të jetë deputet. Ndaj do ju kërkoja që të votojmë Dukën, sepse ky njeri vërtetë ka dhënë shembullin e mirë, që di të punojë në zonën e tij”, -është shprehur Deliallisi.





