VLORE, 19 maj 2013– Partia Demokratike ka kaluar me sukses testin ndoshta më të vështirin të fushatave elektorale, duke e celur zyrtarisht atë në qytetin bregdetar të Vlorës. Në një miting madhështor, mijëra qyetarë të këtij qarku mbushën sheshin e flamurit në mbështetje të PD dhe kandidatëve të saj për deputetë në këtë qark. Lidershipi i mazhorancës, Sali Berisha, i gjendur në qyetin e pavarësisë vetëm një ditë pasi kundërshtari i tij politik prezantoi skuadrën e Rilindjes të kryesuar prej vetë tij është gjendur disi komod, duke e përqëndruar të gjithë fjalimin e tij në kundërpërgjigje në distancë ndaj akuzave që Rama lëshoi të shtunën në drejtim të tij.

“Zoti Rama ofendoi shqiptarët dhe vlonjatët kur në dokumentarin e kujtimeve të vegjëlisë shfaqi agjentë të fuqive armike në portin e saj. Mos lëndo historinë e Vlorës, ajo krenohet pikërisht me luftën e saj. Erdhe këtu dhe shpalle izolimin në të cilin Sali Berisha e paska zhytur Vlorën. Vlora kryeqëndër e historisë, anëtare e NATO-s, lëviz pa viza, Vlora qenka e izoluar apo ti që bllokove tre ligje për marrjen e statusit. 10 ditë më parë bënte thirrje që të vinte Selam Musai, ai do vijë me benz se rruga do ndërtohet. Jemi forcë politike serioze, bëjmë gjithcka për të mbajtur fjalën tonë. Krijuam Shqipërinë me taksat më të ulëta në Europë dhe e bëmë. Do ndërmarim çdo reformë që të liberalizohen vizat dhe me SHBA” tha Kryeministri.

Ndërsa ka sulmuar alternativën e majtë, Kryeministri u tha qyetarëve të Vlorës se për ta kuptuar atë duhet lexuar modeli i Koco Kokëdhimes, simboli i spekulimeve.

“Çfarë premton  alternativa tjetër? Rritje të taksave, biznnesmenë  të vegjël të Vlorës dhe Shqipërisë kontrolloni taksat në mbarë botën, nëse gjeni një vend me 1.5 taksë xhiroje hajdeni dhe më thoni dhe do marr të gjitha masat që të keni taksat më të ulëta. Rama mashtron. Kur ishte kryetar bashkie i 2 dhe 3 fishoi. Alternativa e Ramës, për ta kuptuar ju bëj thirrje lexoni për Kokëdhimën. Çfarë është Kokëdhima, është simboli, ikona e spekulimit mbi tokë. E nisi me Hajdin Sejdinë, me fajdet, përfundoi në menaxherin de facto të Bashkisë së Tiranës për 11 vite. Pse zoti Rama në dokumentarin për kujtimet e vegjëlisë nuk vendose asgjë nga kujtimet e Bashkisë, si vendosje dot se modeli që vendose në bashki për 11 vite ishte modeli i drejtuar nga Kokëdhima që fitonte 80% të tenderave. Ecën me një platforme akuzash, mohimi”- u shpreh Berisha.

 Shefi i selisë blu u ka premtuar vlonjatëve se projekti i parë që do startojë  për këtë qytet do jetë bay-passi, për të cilin, tha ai, janë gati  fondet dhe projekti. Ndërkaq idenë e autostradës së kaltër të kryesocialistit Rama, Berisha e vlerësoi si shtërpesi të ideve të tij.

“Flet për autostraën joniane- adriatike, është shumë i varfër në ide, nuk di që Shqipëria është nga më të avancuarat, është më para se vendet e tjera në këtë autostradë, kujto se do ndërtohet mbi rërë, ajo shkon në Vlorë, është autostrada e brigjeve të Shqipërisë.  Vepra e parë që fillon për Vlorën është bay-passi, kemi fondet , projektin, do ta ndërtojmë. Do ndërtojmë kompleksin më mahnitës natyror. Vlora ka pozicionin, por ka  dhe ujërat më të thella, ka premisën për portin më të madh, kompania e ndërpreu për shkak të krizës, por kohëra të tjera do vinë dhe jam i bindur se Vlora do ketë portin më të madh të rajonit. Mesazhi i fitores nga Vlora shkon në zemrën e gjithë shqiptarëve, do bëjmë gjithcka për puënsimin, rrogat më të larta dhe mirëqënie më të madhe, gjithcka për Vlorën dhe Shqipërinë e Zhvilluar”theksoi kryeministri Berisha.

“Ne besojmë tek Shqipëria, potencialet  e saj. Ky është vend i bekuar, i pasurive përralore do bëjmë gjithcka ti kthejmë në mirësi për qyetarët tanë. Katër vitet që shkuan financuam 42 000 fermerë. Jam për tu zotuar këtu se katër vitet që vinë do trefishojmë grantet për ju . E kam të qartë hapjen e fushatës përpara jush në 2005, ju premtuam se do dyfishojmë turizmin dhe e bëmë. Katër vitet që vinë angazhohemi të marrim 7 mln turistë dhe vizitorë në vendin tonë. Filozofia jonë  është e thjeshtë, besim tek ju dhe lirë tuaja, potencialet e vendit të shndërrohen në mirëqënie për ju. Do bëjmë gjithcka që mineralet të shfrytëzohen për zhvillimin e vendit. Katër vitet që vinë Shqipëria do jetë lider i teknologjisë së informacionit, do dyfishojmë punësimin në këtë sektor. Do bëjmë gjithcka për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat do trefishojnë prodhimin e energjisë. Rruga jonë është rrugë mundimi dhe djerse por rrugë serioze, arritjesh dhe vizioni. Katër vitet që vinë do realizojmë sëbashku katër herë më shumë se vitet që përcollëm. Ju jap fjalën të gjithë banorëve të Vlorës se aty ku do jetojnë do kenë rrugë dhe shërbime dinjitoze”përfundoi Berisha.

Ndërkaq nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi i cili kryeson dhe listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie për këtë qark, deklaroi se Rama me kandidimin e Kokëdhimës në Vlorë, kërkon të pushtojë kryeqytetin e pavarësisë. 

“Ai ju premtoi rrugë, ju premtoi uljen e taksave për biznesin, ndërsa në Tiranë në 11 vite shkatërroi sheshin Skënderbej, nuk mbështeti biznesin, pasi ai punoi për Kokëdhimën, partnerin dhe ortakun e tij në grabitjen e Tiranës në 11 vite. Të njëjtën gjë kërkon të bëj edhe në Vlorë, kërkon që biznesmenët e Vlorës të punojnë për Koçon, i cili nuk di të paguaj taksa. Edi Rama Vlora nuk të lë të kalosh. Ne do t’i themi jo modelit Rama-Kokëdhima. Do i themi po zhvillimit të Vlorës, po vendeve të punës, do i themi po Vlorës. Më 23 Qershor, Vlora nuk do të votojë vetëm për vete, por për të gjithë Shqipërinë, për të zbrapsur modelin e shëmtuar Rama-Kokëdhima”, tha Patozi.