Rrugorët, masa për parandalimin e aksidenteve
DURRES, 19 maj 2013- Ecja tej normave të lejuara të motorave, janë kthyer në një shqetësim për qytetarët durrsakë dhe në një rrezik për vetë drejtuesit e tyre. Mjafton një vëzhgim i shpejtë dhe konstaton se 80% e drejtuesve të motoçikletave e motorave me fuqi të lart motorike nuk përdorin kask mbrojtëse. Por, nga ana tjetër motorat që qarkullojnë në orët e vona të mbrëmjes në qytetin bregdetar, provokojnë prishjen e qetësisë publike për shkak të zhurmave që shkaktojnë. Disiplinimi i këtyre mjeteve në qarkullim nga drejtues të policisë së Qarkullimit Rrugor, konsiderohet edhe si një masë parandaluese në drejtim të aksidenteve rrugore, veçanërisht në prag të sezonit veror, i cili sjell një ngarkesë relativisht të madhe në trafikun rrugor të qytetit të bregdetar.
Policia Rrugore
Policia Rrugore e Durrësit ka nisur një aksion për motorrët që lëvizin pa kaskat mbrojtëse apo dokumentacionin e duhur për qarkullim këtë fundjavë. Vetëm në 24 orët e para të aksionit, në pikën e bllokimit të Automjeteve, janë dërguar 5 motorë, kryesisht me mungesa në dokumentacion. Shkak për aksionin sipas efektivave të policisë janë bërë shkeljet e kodit rrugor, por edhe aksidentet e fundit, në të cilat ishin përfshirë dhe motorat. Krahas bllokimit të mjeteve, policia konfirmon se ka patur ndëshkime maksimale për ata drejtues të motorëve që nuk përdornin kaskat mbrojtëse, apo që konstatoheshin me manovrime të rrezikshme në qarkullim apo me shkelje të sinjalistikave dhe rregullave të tjera të kodit rrugor, duke penalizuar 23 prej tyre. Aksioni për parandalimin e aksidenteve dhe ngjarjeve të rënda në rrugë, pritet të vijojë përgjatë ditëve në vijim.
Aksidentet
Motorat janë kthyer në një problem për rrugët urbane të qytetit bregdetar, kjo për shkak të numrit të lartë të aksidenteve ku janë të përfshira këto mjete motorike. Nga statistikat e bëra publike nga policia, mësohet se rreth 30% e aksidenteve që ndodhin në Durrës janë nga përdorues motorësh dhe çiklomotorësh që përfshihen në aksident apo janë vet’shkaktar. Nisur nga statistikat zyrtare të publikuara po nga policia, përgjatë tre mujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 17 aksidente me motora, nga lëndime të lehta për drejtuesit e deri me pasoja të rënda për jetën.
Masat ndëshkuese
Ekspert të policisë rrugore sqarojnë se për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e njerëzve, është e detyrueshmë që gjatë lëvizjes të vihet në kokë një kaskë mbrojtëse sipas tipit të homologuar, në përputhje me normativat e përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse për drejtuesit e motorëve të çfarëdo cilindrate, si dhe për pasagjerët. Sipas kodit rrugor, kushdo që shkel dispozitat e nenit 169, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 1 deri në 4 mijë lekë. Ndërsa kur shkelja kryhet nga një drejtues mjeti në moshë jo madhore, në vend të masës administrative me gjobë, zbatohet bllokimi administrativ i mjetit për 30 ditë. Shpejtësia tej normave të lejuara, ndëshkohet me gjoba nga 1 mijë deri në 40 mijë lekë, ndërsa në rastet kur drejtuesi i mjetit ka konsumuar alkool, atëherë gjoba do të jetë nga 10 deri në 40 mijë lekë.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





