Bizneset e pushuesit kërkojnë më shumë vëmendje nga pushteti vendor 

DURRES, 19  maj 2013- Vija bregdetare e plazhit të Durrësit është populluar në të gjithë gjatësinë e saj këtë fundjavë. Qindra pushues të ardhur nga kryeqyteti, rrethe të ndryshme të vendit por edhe nga trevat shqipfolëse si Kosova e Maqedonia, e kanë populluar plazhin publik të Durrësit përgjatë gjithë ditës. Për ta ky det, mbetet një ndër destiancionet më të preferuara për të kaluar pushimet verore. Bregdeti i Durrësit është një nga më të frekuentuarit në vend dhe pritet që me nisjen e sezonit turistik, një numër shumë i lartë pushuesish ditorë dhe sezonalë të stacionohen për të pushuar. Shumica e pushuesve dhe këtë vit pritet të mbërrijnë nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër janë emigrantët shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë vendit, që zgjedhin të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar.

Por, krahas popullimit që fundjava ka shënuar, bizneset që operojnë përgjatë vijës bregdetare në Plazhin e Durrësit, ashtu sikurse edhe frekuentuesit shprehen se pushteti vendor e qëndror  është shumë i vonuar për sa i përket investimeve në infrastrukture,  çka do të thotë se vija bregdetare e plazhit të Durrrëit nuk është ende gati për të pritur pushuesit. Njëri prej operatorëve turistik që operon në këtë vijë bregdetare, Rami Ismaili shprehet se institucionet,  këtë vit përveç pastrimit të rërës të lënë përgjysëm, nuk kanë marë  kryer asnjë  investim publik. Sipas Ismailit, është pikërisht infrastruktura e shërbimeve publike, ajo që nuk kënaq pushuesit, pasi bizneset nga ana e tyre kanë bërë gjithçka për t’i pritur ata.  Ismaili shpreh rezerva për gjendjen në plazh, ndërsa pohon se mungesa e kushteve me minimale ka bërë që numri i frekunetuesve në plazhin e Durrësit të ulet nga viti në vit. Por, krahas kësaj situata, Ismaili tregon se bizneset kanë vendosur të konkurojnë me çmime të arsyeshme si dhe me një shërbim më të mirë se një vit më parë, me qëllim thithjen e sa më shumë turistëve.

Problemet me të cilat po përballen pushuesit janë, infrastruktura rrugore, banjat publike, dushet, rojat bregdetare, sinjalistika, por edhe qendrat shëndetësore, të cilat në periudhën e verës janë të domosdoshme. Përball kësaj situate kanë reaguar pushuesit, të cilët kanë kërkuar më shumë vëmëndje nga pushteti vendor, ndërsa një ndër kërkesat e tyre ka qenë edhe hapsirat publike. Sipas tyre, katër parcelat e vendosura nga bashkia, janë të pa mjaftusheme përballë kërkesës së madhe të qytetarëve për të pushuar në këto hapsira, ku nuk duhet  të pagush për të vendosur një çadër.

"E frekuentoi vazhdimisht plazhin e Durrësit jo vetëm për pushimet verore por edhe përgjatë stinëve të tjera të vitit dhe më vjen keq ta them, por shikoj që nuk ka asnjë investim. Natyra është e mrekullueshme ashtu sikurse edhe pozicioni gjeografik i plazhit, por duhet që nga ana e institucioneve të punohet më shumë. Shoh që ende plazhi nuk është pastruar, nuk ka kosha për mbeturinat, banjot publike mungojnë", thotë Selim Gjakova nga Kosova. Por, krahas kësaj situate pushuesi nga Kosova, pohon se ka vendosur që pushimet verore sëbashku me familjen e tij, ti kalojë në bregdetin e Durrësit.

Disa prej problemeve të rënditura gjatë sezonit të kaluar turistik, të bëra evidente dhe herë pas here nga prefektura e qarkut Durrës ishin pushtimi i të gjitha hapësirave publike të rërës në Plazhin e madh,  mosfunksionimi i rojeve dhe të kullave të vrojtimit , zhurmat e natës por edhe ndotja e plazheve nga ujerat e zeza si dhe keqmenaxhimi i mbetjeve urbane, probleme të cilat pritet ta shoqërojnë edhe për këtë sezon turizmin veror. E vetmja masë që ky prefektura  ka hartuar në bashkëpunim më drejtorinë e Ujësjellësit e Cez-it,  është garantimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike pa ndërprerje për zonat bregdetare.

Masat për disiplinimin e trafikut

Sezoni turistik kthen në atdhe një numër të madh emigratësh të cilët vijnë pranë familjeve të tyre për të kaluar pushimet verore. Por jo vetëm aq, të shumtë janë edhe pushues nga vende të ndryshme të vendit tonë por edhe jashtë saj, që mbipullojnë rrugët e qytetit bregdetar përgjatë gjithë ditës. Pothuajse, cdo ditë shënohen  radhë shumë të gjata mjetesh në zonën turistike nga Ura e Dajlanit deri në Plepa dhe nga Shkëmbi i Kavajës deri në dalje të Golemit. Situata rëndohet jo vëtëm në orët e para të mëngjesit apo të në orët e para të pasdites por edhe në mbrëmje, ku të shumtë janë automjetet që lëvizin përgjatë gjithë akseve rrugore. Të shtyrë nga kjo situatë  Drejtoria e e Policisë Qarkut Durrës,  në  bashkëpunim edhe me policinë rrugore, kanë hartur një sërë masash, të cilat në vetvete kanë vetëm një qëllim, disiplinimin e trafikut si dhe shmangien e aksidenteve rrugore.  Policia e Qarkullimit Rrugor Durrës, ka vendosur ashtu sikurse sezonet e kaluara të bahskërendojë punën me fektivat e rendit  si dhe efektiva të Policisë Rrugore të Kavajës dhe Tiranës, për të përballuar me sukses situatën, kryesisht në fundjavë, ku numri i automjeteve që i drejtohen zonave turistike të Durrësit dhe të Golemit janë të shumta në numër.

Bashkia, masat për sezonin

Bashkia e Durrësit ende nuk ka nisur punën në terren për të mundësuar një sezon turistik sa më të mirë në mënyrë që të thithë sa më shumë turistë të huaj dhe vendas. Ndërmarrja Komunale e Plazhit pranë bashkisë së Durrësit, e ka ndërprerë punë prej disa ditës pas përkqësimit të kushteve atmosferike. Kjo ndërmarrje ende nuk ka përfunduar plugimin dhe dezinfektimin e rërës që është një proces i cili duhet të kishte përfunduar para nisjes së frekunetimit masiv të plazhit. Ndërsa nga ana e bashkisë së qytetit mësohet se mungesa e fondeve dhe mosmiratimi i buzhetit, ka bërë që për këtë sezon shumë shërbime publike siç janë banjot, dushet e rojet bregdetare të mungojnë.

Çmimet e plazheve  private 

Në bregdetin durrsak çmimet e plazheve private të ligjshme dhe të paligjshme variojnë sipas ditëve dhe vendeve, ku ato ndodhen. Luhatja nga njëri sektor në tjetrin për shkak të kushteve që të ofron ka një diferncë në masën 10-20 përqind më shumë se vlera apo më pak. Kështu, një çadër në plazhet private në sektorin “Teuta” kushton 250 lekë, në sektorin “Hekurudha”-“Iliria” dhe Currila 250 lekë, një shezlong kushton në sektorin “Teuta” 250 lekë, në sektorin “Hekurudha”-“Iliria” dhe Currila 300-500 lekë, duke mos llogaritur pastaj blerjen e një lëngu si ujë apo lëng frutash ku çmimet janë  2-3- fish më të larta se tek pikat e shumicës. Por për mjaft pushues ditor kryesisht banorë të qytetit të Durrësit apo rrethinave të tij, kjo mbetet një “luks” pr shkak të cmimeve të larta. Ndërsa I gjithë plazhi zaptohet nga dita në ditë, kjo kategori e ka shumë të vështirë të pushojë në bregdetin durrsak për shkak të mungesës së hapësirave publike.

Turizmi

Durrësi është zona më e rëndësishme e vendit për turizmin masiv dhe atë elitar. Përvç turizmit të banjove diellore Durrësi ofron, turizmin kulturor për shkak të trashegimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Krahas objekteve të shumta arkeologjike, qyteti i Durrësit ofron dhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore me rëndësi për t’u vizituar. Në tërësi qyteti i Durrësit përbën një ansambël shumë të rëndësishem historik dhe kulturor të Shqipërisë.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/