TIRANE, 19 maj 2013– Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi prezantoi sot kandidatët për deputetet në qarkun e Kukësit, listë që kryesohet nga Ylber Gjeta.

Idrizi u shpreh se ndihej i privilegjuar që ndodhej në “Qytetin e mikpritjes dhe bujarisë”.

“Ne nuk mund t’i ndajmë shqiptarët në veri dhe jug, lindje dhe perëndim, por të gjithë duhet të jemi të bashkuar, ashtu siç na ka vendosur Zoti, me një gjuhë, një kulturë, një zemër, me një qëllim të përbashkët mirëqënien, integrimin dhe bashkimin kombëtar.”, tha Idirizi në qytetin verior

“Ne nuk duhet të lejojmë që drejtuesit e shteteve tona të funksionojnë si feudalë toke, si drejtues territori, por si udhëheqësh shpirtrash dhe njerëzish, udhëheqës të kombit shqiptar. Ndaj, në zgjedhjet e 23 qershorit votoni PDIU, votoni Nr. 50, votoni djalin tuaj, Ylber Gjetën për në Kuvendin e Shqipërisë”, përfundoi Idrizi.

Pas prezantimit të kandidatëve, Kreu i PDIU-së prezantoi dhe pjesë të programit të partisë që drejton, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që, pa dallime të punojmë në shërbim të kombit dhe idealit të bashkimit kombëtar.