TIRANE. 19 maj 2013- Besnik Beka ka humbur jetën brenda kompleksit të pishinave pranë Liqenit artificial. 

Sipas policisë, adoleshenti nga Sauku, dyshohet se ka pësuar atak ne zemër në momentin e hedhjes nga trampolina dhe prekjes së ujit të freskët të pishinës. 

Trupi i tij është nxjerrë nga pishina nga pushues të tjerë, të cilët e kanë dërguar djalin në Spitalin Ushtarak, por nuk ka arritur të mbijetojë. 

Sipas policisë, janë shoqëruar dhe po merren në pyetje drejtuesit e pishinës së bashku me dëshmitarët që kanë parë adoleshentin në momentin e hedhjes nga trampolina e katërt. 

Ndërkohë ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë kryer ekzaminimin e trupit të 17 vjeçarit Beka dhe në ditët në vazhdim pritet të dalë zyrtarisht edhe shkaku i vdekjes. 

Nga shenjat e para, sipas ekspertëve, dyshojmë se adoleshenti ka gjetur vdekjen nga një atak kardiak.