Në foto: print-screen i faqes kryesore të sajtit të Top-channel, 19 maj 2013, djathtas të dy shkrimet e botuar në gazetën “Shqip” kundër Edi Ramës

TIRANË, 19 maj 2013 –Nëse PS “fiton kjo do të jetë një nga fitoret më të rrezikshme për shqiptarët që do të qeverisen prej saj”, ndodh kështu befasia, teksa një muaj para zgjedhjeve Top-Channel ka nisur sulmet me artileri të rëndë kundër PS-së dhe Edi Ramës me një fjalor që ia kalon edhe Berishës e PD-së.

“Një fitore eventuale e Partisë Socialiste në këto zgjedhje s’do të ishte thjesht një nga grushtet më të rënda që e majta do të merrte përfundimisht në Shqipëri. Ajo do të ishte edhe një cunam i vërtetë për gjithë shoqërinë dhe shpresën tonë për një demokraci funksionale”, shkruan Sokol Shameti, një gazetar kronike, kryeredaktor në TCH, në numrin e së dielës të gazetës “Shqip”.

“Kalkulimet e opozitës për të shmangur një “dezha-blu” të tretë për Berishën, duket se nuk kanë qenë dhe aq të sakta politikisht, por pritshmërisht do të kenë edhe kosto elektorale”, nis komentin, po në numrin e së dielës të “Shqip”-it, korrespodenti i TCH në Londër (ish-gazetar në BBC), Arben Manaj, i cili është më i moderuar se Shameti.

Të dy shkrimet janë futur dhe në sajtin e televizionit TCH (top-channel.tv/artikull.php?id=257329; top-channel.tv/artikull.php?id=257330).

Me sa duket, mund të ketë një ndryshim të politikës editoriale të kompanisë “Top-Media”, që ka përvijuar themeluesi, i ndjeri Artan Hoxha.

Madje, shkruesi Shameti është i ndërgjegjshëm për befasinë që mund të ketë shkaktuar: “Sigurisht që shumë njerëz të përndezur nga zjarrmia e fushatës dhe që e duan me zemër të majtën do të rrudhin buzët dhe do ta rendisin autorin e këtyre radhëve në stanin e atij Nastradini që sundon sot Shqipërinë (zaten, edhe për shkak se përballë tij ka një karikaturë të së majtës siç është Edi Rama)”.

I punësuari në “Top-Media”, Sokol Shameti, në invektivin e tij me titull “Një herë si farsë, pastaj si tragjedi”, ka shumë “bubullima” të tilla si:

·         “Një ndëshkim i Edi Ramës me votat e të majtëve që ai nuk i përfaqëson do të ishte një karton i kuq që të majtët ia japin asaj partie që ka rrëshqitur nga binarët, si dhe një shans që ajo të korrigjojë shënjestrën, udhëheqjen dhe kursin e saj. Një disfatë e PS-së më 23 qershor do të ishte realisht jo një disfatë e PS-së, por vetëm një disfatë e projektit të Edi Ramës për ta de-socializuar Partinë Socialiste e për të legalizuar ndikimin e kapitalit të madh mbi të. Ajo do t’i jepte fund një epoke që nisi me Fatos Nanon: epokës së çmontimit të ideologjisë së majtë nga partitë e majta dhe zëvendësimit të saj me taktikat e menaxherëve dhe specialistëve të Marrëdhënieve Publike që rreken të të shesin sapunin për djathë apo erashkat për programe politike”..

·         “Të humbë “e majta” për të shpëtuar të majtën, kjo është penicilina”.

·         “Nga ana tjetër, nëse kjo parti fiton kjo do të jetë një nga fitoret më të rrezikshme për shqiptarët që do të qeverisen prej saj. E rrezikshme, sepse ajo do të jetë një fitore që kjo lloj opozite e ka arritur pa begenisur, madje as të pretendojë se ajo është e mira, por thjesht sepse kundërshtari i vet qëllon që është dordoleci i ngulur në arë për të kallur datën dhe për t’u urryer nga të gjithë. Poshtëruese, sepse njerëzit që do t’i blatojnë fitoren një krushqie si kjo që vetëquhet sot “e majta”, do të shikohen pasandaj prej Ramës me shokë, si një tufë gomarësh. Si ca leshko që arritën deri aty sa t’ua dhurojnë pushtetin kur këta vetë po bënin çmos për të treguar se nuk ishin ata njerëzit që do t’i shpëtonin nga varfëria që buron prej paaftësisë së qeverisë për të ndalur grykësinë e biznesit”.

·         “Opozita që e ka zakon ta quajë vetveten të majtë, po i fton shqiptarët të luajnë loto më 23 qershor. Një lloj bixhozi ku vetë ata, në të dyja rastet, e kanë të garantuar fitoren dhe ku populli investon qorrazi të ardhmen e fëmijëve të vet. Ka megjithatë edhe një mënyrë tjetër sesi ne, populli i thjeshtë, mund ta filtrojmë këtë lojë e kuqe e zezë ku po na nxisin të përfshihemi”.

·         Në PS “të paktën 10 persona figurojnë në dy lista: edhe në atë të kandidatëve të saj për deputetë, edhe në atë të të kërkuarve të Interpolit”.

·         PS “ka për kryetar një personazh, i cili me grushtin diktatorial sesi po qeveris brenda selisë së tij sot, s’po lë gjë pa bërë që të na paralajmërojë sesi do të jetë qeverisja e tij në ekzekutiv nesër. Çdo element në këtë Parti Socialiste thërret: Ruajuni!”

Ndërkaq “Top-Media” dhe të punësuarit e saj nuk thotë se për kë duhet të votojnë socialistët dhe shqiptarët.

Bie në sy se për Berishën dhe PD-në ka më pak sulme.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/