TIRANË, 18 maj 2013 –Nga bregdeti në male në zonën e Labërisë, në harkun e 10 orëve, janë regjistruar dy tërmete.
Më 17 maj 2013, ora 22:43:15, në afërsi të burgut të sigurisë së lartë të Bënçës, 5 km në jugperëndim të Tepelenës (koordinatat 40.25°N, 20°E), ka rënë një tërmet me magnitudë 3,3, me epiqendër në thellësi 3 km.
Nga të dhënat e mësipërme që ka dhënë departamenti i sizmologjisë këto lëkundje toke janë ndier të forta në zonën e epiqendrës.
Qeveria nuk ka raportuar viktima apo dëme materiale.
Ka një shkujdesje të pafalshme nga organet kompetente, si qendra kombëtare e monitorimit të aktivitetit sizmik, ashtu dhe nga ministria e Brendshme që nuk bëjnë njoftime publike, por mjaftohen me internetin në sajtin që pak persona e përdorin, kurse televizionet 24/24 orë merren me lajme politike në Shqipëri dhe botë, sikurse ndodhi me njoftimet me tri orë vonesë për goditjet në Durrës më 15 maj 2013.
Ndërkohë, më 18 maj 2013, ora 10:32:48, në fshatin Kuç të Vlorës (koordinatat 40.16°N, 19.88°E), pati lëkundje të lehta, që mund të regjistrohen vetëm nga aparatet e ndjeshme.
Ky minitërmet ishte me magnitudë 2.6 dhe epiqendër në thellësinë 16 km.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





