DURRES, 18 maj 2013– Kandidati për deputet i Partisë Demokratike dhe Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi është takuar me gratë e zonës së Sukthit, të cilat janë njohur edhe me lajmin e mirë se brenda pak ditësh, i gjithë Sukthi do të furnizohet 24 orë në ditë me ujë të pijshëm.
Ministri Halimi, i cili kryeson listën e kandidatëve të Partisë Demokratike, ka vlerësuar rolin e grave dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre mandateve, duke u shprehur i sigurtë edhe për fitoren në mandatin tjetër.
Ministri Halimi, ndërsa tha se puna e nisur e qeverisë duhet të vazhdojë, premtoi se shumë më tepër do të behet nga ana e përmirësimit të mirëqenies së njerëzve, që nga infrastruktura e deri tek punësimi.
Nga ana tjetër deputeti i PD-ës për Durrësin Igli Cara, ka premtuar se deri në fund të këtij muaji e gjithë zona e Spitallës do të furnizohet me 24 orë ujë pa ndërprerje.
Në një takim me banorë të zonës së Spitallës, kryetari i partisë Demokratike për Durrësin, gjithashtu dhe deputet në parlamentin shqiptar Ilgi Cara, u shpreh se problemi i ujit të pijshëm në këtë zonë, pas investimit të kryer, do të marrë fund njëherë e mirë.
Nga ana tjetër banorët kërkuan që qeveria të ndërhyjë edhe në fusha të tjera, pasi bashkia e Durrësit e ka harruar të gjithë zonën e Spitallës.
Nga ana e tij deputeti Cara, tha se, që nga viti 2005 qeveria shqiptare ka ndërmarrë investime të rëndësishme për këtë zonë. Njëkohësisht, Cara tha se duke ndihmuar zhvillimin e biznesit, edhe punësimi do të vijë duke u rritur.
/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





