DURRES, 18 maj 2013– Në Durrës janë në pritje të emrave të parë të merkatos: se kush do të afrohet dhe nëse do të ketë firo të tjera pas largimit të Arjan Shetës. E ndërsa është folur për afrimin e tre-katër lojtarëve, dy mesfushorëve e një mbrojtësi, së fundmi qarkullojnë zëra se drejtuesit janë hedhur në aksion për gjetjen e një sulmuesi.
Deri më tani nuk ka ndonjë emër konkret, por burime pranë klubit zbulojnë se stafi teknik është vënë në kërkim të një sulmuesi me eksperiencë, i cili do të mbajë peshën e repartit ofensiv. Një ndër pistat është rikthimi i ishsulmuesit Mirel Çota, por deri më tani nuk ka gjë zyrtare.
Në fakt, librazhdasi pëlqehej shumë nga drejtuesit gjatë kohës që ishte pjesë e skuadrës bregdetare, plus që edhe vetë sulmuesi ka marrëdhënie të mira me klubin dhe tifozerinë. Duke parë situatën që po kalon Tirana, transferimi i tij drejt qytetit bregdetar nuk do të ishte shumë i vështirë.
Megjithatë, drejtuesit durrsakë nuk duan të nxitohen sa i përket merkatos dhe çështja mbetet e hapur, pasi po shikohen edhe alternativa të tjera.
Gjithsesi, durrsakët do të përpiqen të shfrytëzojnë pjesën e parë të merkatos, duke qenë se do ta formojnë skuadrën përpara ndeshjeve të Europa Ligës. Në këto kushte, pritet që marrëveshjet me lojtarët që do të afrohen gjatë merkatos të bëhen përpara datës 3 qershor, kur Teuta do të nisë përgatitjet për Europë.
Tekniku Gugash Magani do përpiqet të organizojë punën dhe të marrë masa për këto dy ndeshje, ndaj dhe do kërkojë që lojtarët e pikasur t’i bashkohen skuadrës sa më shpejtë. Objektivi i durrsakëve është të kalojnë të paktën një tur në këtë kompeticion, por mbi të gjitha të bëjnë një paraqitje dinjitoze.
Një vit më parë ata dështuan, duke u larguar madje në mënyrë mjaft të turpshme, çka solli edhe krisjen e parë mes teknikut Lika dhe drejtuesve.
/l.m. Panorama/





