Diplomatja amerikane dhuronte vizita në Krujë për njerëzit e dashur
DURRES, 18 maj 2013– E njohur si një nga kryeqendrat më të përmendura historike, Kruja, pjesë e qarkut të Durrësit, është kthyer në qytetin më të preferuar për turistët e huaj dhe vendas në Shqipëri. Të bën të ndjehesh krenar për gjurmët e historisë që dëshmon, për peisazhin që bujarisht të ofron dhe ruajtjen e traditës, si rrallëherë në qytetet tona. Viti 2012, por dhe muajt e parë të këtij viti kanë dëshmuar për një fluks në rritje të vizitorëve të saj.
Nga statistikat zyrtare të Ministrisë së Turizmit raportohet një fluks prej 77 200 turistësh, ndërkohë që viti 2006 pati regjistruar afro 83 mijë vizitorë. Përtej luhatshmërisë mes viteve duke se periudha e errët e viteve ‘97-’98 dhe atyre që pasuan duke reduktuar ndjeshëm numrin e vizitorëve është lënë më në fund pas. Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar dhe atij Etnografik, Mehdi Hafizi, grupe të mirëfillta turistësh të huaj e kanë përfshirë Krujën dhe objektet e saj muzeale në itinerarin e turit të tyre ballkanik gjatë viteve të fundit. Agjencitë e huaja turistike në bashkëpunim me ato vendase e kanë vendosur Krujën dhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në krye të listës së vendeve që nuk duhen lënë pa vizituar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Trupat diplomatikë në vend dhe drejtuesit e tyre njihen si më frekuentuesit e këtij qyteti që mbart në vetvete të kaluarën e largët dhe të sotmen e Shqipërisë kaq të lashtë, po me kaq shumë probleme. Ata janë shndërruar dhe në mbështetësit më të qëndrueshëm të Krujës për të orientuar shtetasit e tyre që mbërrijnë në vendin e shqiponjave drejt vizitimit të Krujës dhe muzeve të tij. Është e pamundur të vish në Shqipëri dhe të lësh pa vizituar Krujën, epiqendrën e të parit shtet feudal shqiptar.
Shpallur Qytet Hero në vitin 1968, Kruja e ngritur në shpatin e malit me të njëjtin emër është kthyer në një pikë të rëndësishme turistike për të huajt. Turistë nga vende të ndryshme të Europës, Shtetet e Bashkuara dhe kontinenti aziatik kanë vizituar muzetë dhe janë njohur me historinë e vendit nëpërmjet ciceronëve.
Ambasadorët e shteteve të ndryshme në vendin tonë janë frekuentues të rregullt të Krujës dhe muzeve të saj. Drejtorit Hafizi i pëlqen të kujtojë vazhdimisht një shprehje që dikur ia pati thënë ambasadorja amerikane Marsi Ris, një nga dashamirëset e qytetit historik dhe dëshmive të tij: “Kur dua të qeras dikë me diçka nga Shqipëria e sjell në Krujë”.
Fluksi i vizitorëve ndikon ndjeshëm në zhvillimin e qytetit të ngritur në lartësinë 608 metra mbi nivelin e detit. Një numër i konsiderueshëm tregtarësh ambulantë suvenirësh dhe bizhuterish, si dhe subjektet tregtare përgjatë Pazarit të Vjetër sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për familjet nga ky status i veçantë i qytetit të tyre. Megjithatë fluksi në rritje i vizitorëve ka bërë që të rritet ndjeshëm dhe ndërhyrja në lagjet e vjetra të qytetit, duke shtuar ndërtimet e reja dhe dëmtuar ato që mbartin të vjetrën dhe të veçantën.
Muzeu i historisë së lavdishme
Kështjella u shndërrua në qendër të epopesë shqiptare të shek.XV kundër Perandorisë Osmane, duke u bërë e njohur në të gjitha shtetet më në zë të Europës së kohës. Tre rrethime të osmanëve dështuan. Pikërisht për këtë arsye u vendos që muzeu kombëtar të ndërtohej në Krujë, në të majtë të hyrjes së kështjellës. E ideuar nga arkitektët Pranvera Hoxha dhe Pirro Vaso, muzeu i konceptuar në formën e një memoriali u përurua në nëntor të vitit 1982.
Historia, arkitektura dhe arti janë shndërruar në një të vetme dhe të imponohen teksa njihesh me godinën nga brenda dhe jashtë. “Madhështore!”- do të shprehej një vizitore norvegjeze teksa e vizitonte në fillim të muajit maj. Që në hyrje të muzeut shfaqet, në skulpturën masive të Janaq Paços dhe Genc Hajdarit, Heroi ynë Kombëtar në mes të popullit, përfaqësuesve nga të gjitha krahinat e vendit të gatshëm për të dhënë dhe jetën në mbrojtje të vendit. Nëpërmjet objekteve historike origjinale vërtetohet se vendi ka qenë i banuar nga paraardhësit tanë, ilirët.
Luftrat iliro-romake dhe shmangja e asimilimit të popullsisë nga dyndjet e të huajve dëshmohen qartë në muze. Natyrshëm kalohet në periudhën e Mesjetës dhe kulturën e zhvilluar të saj për të vazhduar më periudhën e pushtimit, që të lë mbresa dhe për nga mënyra si është konceptuar salla e pushtimit osman, me hekura dhe pranga që rëndojnë. Data dhe ngjarje të rëndësishme historike të kësaj kohe vijnë këndshëm dhe bindshëm te vizitorët të cilët në Librin e Përshtypjeve nxitojnë të shënojnë ndër të tjera dhe dëshirën për t’u rikthyer, për të kontaktuar rishtas me historinë dhe madhështinë e jetës së popullit shqiptar.
/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





