·        Ekskluzive “Dyrrah” /Nuk pranohet kërkesa e një vajze myslimane shqiptare për të mos marrë pjesë në mësimet e notit, sepse mësuesi ishte mashkull

LOZANË , 12 maj 2013 –Integrimi është më i rëndësishëm sesa feja, gjykata federale zvicerane nuk ka pranuar kërkesën e një vajze myslimane shqiptare për të mos marrë pjesë në mësimet e notit, sepse mësuesi ishte mashkull, njofton portali “onislam.net”.

Integrimi i të huajve është më i rëndësishëm se besimet e tyre fetare, Gjykata Federale me seli në Lozanë (Lausann), gjykata më e lartë e Zvicrës, tha në vendimin e saj më 10 maj 2013, cituar nga agjencia zvicerane e lajmeve Info.

Edhe pse vajza u lejua të mbulohej me perçe, sipas kërkesave të fesë islame, familja e saj kundërshtoi që vajza në moshën e pubertetit të notonte nën vështrimin e një mësuesi mashkull.

Familja shtoi se vajza e tyre tashmë e dinte se si të notonte, pasi kishte frekuentuar një klasë private për vajzat myslimane.

Në vitin 2011 prindërit e saj kërkuan leje që vajza e tyre të mos merrte pjesë në mësimet e notit, të cilat zhvilloheshin çdo pesë javë nën mbikëqyrjen e një mësuesi mashkull.

Por autoritetet zvicerane e hodhën poshtë kërkesën dhe tani justifikohen me vendimin e Gjykatës së Lartë.

Sipas vendimit, mësimet e detyrueshme të notit marrin përparësi mbi detyrat fetare.

Gjykata iu referua edhe faktit se shkolla kishte dhënë mësime të veçanta për djem dhe vajza.

Vlerësohet se në Zvicër jetojnë 400.000 myslimanë mes një popullsie prej më shumë se 7 milionë banorësh, shumica e të cilëve janë emigrantë nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit.

E drejta e myslimanëve për të praktikuar fenë e tyre ishte subjekt i një polemikë të madhe në vitin 2009 në lidhje me votimin popullor për të ndaluar ndërtimin e minareve në Zvicër.

Në të kundërt, një raport i qeverisë i kryer në prag të ndalimit zbulonte se “shumica e myslimanëve në Zvicër janë të integruar mirë dhe nuk përgjithësi nuk kanë probleme, që lidhen me besimin e tyre fetar në jetën e përditshme”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/